Dëshmitari i ZPS-së tregon si i verifikonte UÇK-ja personat e dyshuar

(Lajm i përditësuar)

Dëshmitari i pestë me radhë në rastin e Pjetër Shalës, gjatë dëshmisë së tij, të hënën, tha se verifikimin për personat e dyshuar se mund të kishin lidhje me Serbinë, e bënin komandantët në shtabin e logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në Kukës.

Ai përmendi emrat e Xhemshit Krasniqit, Sali Saramatit dhe Afrim Hoxhës.

Lidhur me atë se si bëhej verifikimi, ai tha se këtë e dinë “të mëdhenjtë” dhe se tjetër informacion nuk ka.
Kurse, lidhur me atë se verifikimi bëhej me dyshimin se këta persona kishin lidhje me Serbinë, ai tha se e merrte nga vetë këta persona kur kishte qëlluar kujdestar i rojës në hyrjen e ndërtesës.

Sipas tij, këta persona nga ana e UÇK-së quheshin vetëm të dyshuar.

Tutje, ai sërish tha se herën e parë kur kishte shkuar te dhoma hetuese, dhoma kishte qenë bosh kurse herën e dytë kishte parë nga dritarja dhe se në atë vend kishte parë rreth 5 persona brenda.

Ai tha se aty kishte shkuar veç për qejf dhe jo për ndonjë arsye tjetër, duke shtuar se ‘‘jo kurrgjë, veç me këqyr kush është mrena’’.

Paraprakisht, i pyetur nga ZPS-ja se çfarë kuptimi kishin inicialet HH, SS dhe DZK., në skicën e shënuar nga vetë ai, dëshmitari u përgjigj me ‘‘nuk më kujtohet’’.

Ndërsa, pas rikujtimit nga ana e Prokurorisë me leximin e transkripteve të intervistës me ZPS-në në vitin 2019, i njëjti pohoi se shkurtesën HH e kishte pasur për Hafir Hoxhën, SS për Sali Saramatin dhe DZK për Xhemshit Krasniqin, duke i identifikuar kështu vendet ku ata kishin qëndruar, e që ishte ndërtesa me numër 4.

Gjykatësja-dëshmitarit: Po jep përgjigje të ndryshme nga pyetja që po të bëhet

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, po vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të pestë në gjykimin kundër Pjetër Shalës përmes video-lidhjes. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka transmetuar prova materiale, të cilat nuk janë shfaqur për publikun. Dëshmitari me numër 10 në gjykimin kundër Pjetër Shalës, është pyetur për vendin ku ka bërë roje, në shtabin e logjistikës në Kukës dhe për një shtëpi, ku tha se mbaheshin persona e merreshin në pyetje.

Gjykatësja Mappie Veldt-Foglia ka kërkuar nga dëshmitari i pestë që të jap përgjigje konkrete në pyetjet e prokurorisë.

“A e kupton përkthimin mirë? Po ta bëjë këtë pyetje sepse ndonjëherë thua, në përgjigjet e pyetjes që ju bëhet, ti jep një përgjigje të ndryshme nga pyetja që të bëhet. Kështu që ju lutem, mundohuni që të jepni përgjigje pyetjes që ju bëhet. Për shembull në qoftë se ju kërkohet që të bëni një përshkrim të një vendi të caktuar, nuk e kuptoj që pse ti nuk bën përshkrime, por thua diçka ka të bëjë me detyrat e ushtarëve. Kështu që ju lutem dëgjoni me kujdes pyetjet dhe jepni përgjigje pyetjes”, ka thënë gjykatësja Veldt Foglia.

Në paraqitjen e një skice të pamjes së shtabit të logjistikës në Kukës, dëshmitari i pestë është pyetur se çfarë pamje ka pasur hyrja e godinës në Kukës.

Prokurorja: A e njeh atë çfarë të jepet në fotografi, e ke parë më përpara këtë vend? Çfarë njeh, çfarë ke parë?

Dëshmitari: Kjo është hyrja e shtabit të logjistikës.

Prokurorja: Pra kjo është hyrja në shtabin e logjistikës që diskutuam më përpara?

Dëshmitari: Po”, është përgjigjur ai në pyetjet e prokurores.

Dëshmitari i mbrojtur ka folur për vendin ku kishte bërë roje dhe ku flinin ata dhe oficerët. Po ashtu, janë bërë pyetje për zyrën e Sali Saramatit brenda godinës.

Prokurorja: A mund të na japësh pak më shumë informacion për mënyrën se si ishte e organizuar nga brenda kjo godinë, kjo ndërtesa? Për shembull ku flinit ju, ku ishin zyrat, si ishte e organizuar brenda për brenda ndërtesa?

Dëshmitari: Ne ishim në katin e dytë, oficerët ishin në katin e parë, këto dritaret që po shihen, kjo ka qenë zyra e Sali Saramatit …Pak më brenda, 10 metra flinin oficerët.

Prokurorja: Thatë që ju flinit në katin e dytë, sa veta ishit ju që flinit në katin e dytë?

Dëshmitari: 30, 25 se bënin transport ushtria. Nën 20, 30 nuk kemi qenë kurrë.

Prokurorja: Po dhomat ku flinit si ishin ato? Ju të gjithë flinit në një dhomë të vetme>

Dëshmitari: Në një dhomë.

Prokurorja: Po oficerët ku flinin?

Dëshmitari: Oficerët poshtë.

Prokurorja: Edhe oficerët flinin të gjithë në një dhomë të vetme, apo kishin dhoma të veçanta?

Dëshmitari: Ka pasur edhe të veçanta se na ku flinim ka pasur ambulanta, ka pasur mjekë që na këqyrshin”, ka thënë dëshmitari me numrin 10.

Dëshmitari i mbrojtur ka folur edhe për një shtëpi dy-dhomëshe, ku tha se mbaheshin persona e merreshin në pyetje. Sipas tij, kjo shtëpi ishte 20 metra larg nga shtabi i logjistikës në Kukës dhe si e kishte parë vet këto dhoma, dyshemeja e të cilave ishte me dërrasa dhe nuk kishte shtretër.

Prokurorja: Zotëri dëshmitar tek kjo ndërtesa me numër 1, aty njerëzit flinin?

Dëshmitari: Jo, jo. Merreshin në pyetje nga dy-tri orë edhe i mbajshin aty edhe i lëshonin.

Prokurorja: Çfarë do të thuash kur thua i mbanin aty.

Dëshmitari: Po se ka pasur që i ka dërguar Serbia për informata.

Prokurorja: Si trajtoheshin këta njerëz nga UÇK?

Dëshmitari: I merrnin në pyetje edhe i lëshonin.

Prokurorja: Ju thatë që mbaheshin aty, por a kishin të drejtë të iknin nga ajo ndërtesë vet?

Dëshmitari: Jo jo, nuk ka shans me ikë”, është përgjigjur dëshmitari përmes video-lidhjes.

Në gjykimin kundër Pjetër Shalës deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Dëshmitari i pestë dëshmon kundër Pjetër Shalës

Ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të pestë i prokurorisë në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Në Dhomat e Specializuara në Hagë, nën betim, përmes video-lidhjes dëshmitari që mban numrin 10, ka folur për rolin e tij gjatë kohës sa ka qenë ushtar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, dëshmitari ka thënë se ka qenë ushtar i thjeshtë dhe ka bërë roje në shtabin e logjistikës në Kukës. Pjetër Shala po e ndjek këtë seancë nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Gjatë dëshmisë së tij në gjykimin kundër Pjetër Shalës, është paraqitur një skicë e shtabit të logjistikës, e cila nuk është shfaqur për publikun. ZPS ka kërkuar tri orë kohë për të intervistuar këtë dëshmitar.

Prokurorja: Dëshmitar, keni qenë ndonjëherë anëtar i UÇK-së?

Dëshmitari: Po.

Prokurorja: Kur jeni kyçur në UÇK?

Dëshmitari: Në vitin 1998, jam kyçur në Kukës.

Prokurorja: A e mbani mend në ç ‘muaj ka qenë kur jeni kyçur në UÇK?

Dëshmitari: Ka qenë ose mars ose prill.

Prokurorja: A mund të na shpjegoni se si ndodhi?”. Kurse, pas kësaj pyetje, seanca ka vijuar me përmbajtje të redaktuar.

Më tej, dëshmitari i pestë në gjykimin kundër Pjetër Shalës, ka thënë se ka qenë ushtar i thjeshtë në shtabin e logjistikës në Kukës.

Prokuroroja: Si shkuat në Kukës?

Dëshmitari: Me dy ushtarë kam shkuar.

Prokurorja: Ku të quan ata?

Dëshmitari: Në shtab të logjistikës në Kukës.

Prokurorja: Sa i takon kohës, a të kujtohet në qoftë se kjo ka ndodhur përpara apo pas bombardimeve të NATO-s?

Dëshmitari: Jo, ka qenë duke bombarduar.

Prokurorja: Në atë kohën kur u kyçet ju në UÇK, a e kuptova drejtë, që në atë kohë ndërkohë NATO vazhdonte me bombardime? Na thatë dhe i referohem këtu transkriptit të përkohshëm thatë që dy ushtarët të dërguan në shtabin e logjistikës, të Kukësit. A kishte një emër ky vend?

Dëshmitari: Sa e di unë vetëm shtab i logjistikës.

Prokurorja: Në çfarë njësiti të UÇK-së u kyçe ti?

Dëshmitari: Ushtar i thjeshtë”, ka vijuar dëshmitari në përgjigjet e tij.

Dëshmitari përmes video-lidhjes ka thënë se roli i tij në shtabin e logjistikës në Kukës ishte si ushtar i thjeshtë. Në pyetjet e prokurores për organizimin e ditës së tij, ka thënë se ai ka bërë roje.

Prokurorja: Çfarë detyrash kishte roja në shtabin e logjistikës në Kukës, çfarë bënte një roje në shtabin e përgjithshëm në Kukës?

Dëshmitari: Rujshëm, me ndërrime e kemi pasur.

Prokurorja: A kontrollonit ndonjë gjë konkrete ju si roje?

Dëshmitari: Po.

Prokurorja: Çfarë kontrollonit si roje?

Dëshmitari: Kamionët vinin, njerëzit vinin u dashke me i verifikuar, me ua lyp letërnjoftimet.

Prokurorja: A vishnit uniformë, ishit i veshur me uniformë kur ishit roje?

Dëshmitari: Po”, ka thënë dëshmitari me numër 10.

Prokurorja e ka pyetur dëshmitarin edhe për pamjen e selisë së shtabit të logjistikës në Kukës.

Seanca me dëgjimin e dëshmitarit të pestë të mbrojtur po vazhdon. Derisa Pjetër Shala po e ndjek atë nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Sot vazhdon gjykimi ndaj Pjetër Shalës në Hagë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-prejëstarit të UÇK-së, Pjetër Shala.

Seanca e gjykimit do të fillojë nga ora 09:30.

Pjetër Shala, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 25 prill e ka dorëzuar dosjen paraprake për gjykimin që po zhvillohet ndaj tij.

Në qendrën e paraburgimit në Hagë Shala ndodhet prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Back to top button