Dina: Nuk i di arsyet e policisë dhe prokurorisë për ndërhyrjen e tyre në lëndët tenderuese

Abdixhiku: Presioni në OSHP nuk është i rastësishëm

Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa ka diskutuar lidhur me shkresën e kryetarit dhe dy anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, të dërguar në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i Komisionit, Lumir Abdixhiku theksoi se kryesuesi pati thënë se në bazë të kësaj letre OSHP ka presion nga policia dhe prokuroria për shqyrtimin e tenderëve, dukuri kjo që është shqetësuese.

“Presioni në OSHP nuk është i rastësishëm. Vërejtje të mëdha për ‘tenderomaninë’ ka pasur çdo herë nga raporti i progresit”, deklaroi Abdixhiku.

Sipas tij, është shqetësuese që policia të marrë lëndët e OSHP dhe të qëndrojë nëpër korridoret e objektit të këtij institucioni duke ndërhyrë në punën drejtuesve të OSHP.

Blerim Dina, kryetar i Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, tha se nuk i di arsyet e policisë dhe prokurorisë për ndërhyrjen e tyre në lëndët tenderuese në shqyrtim, pas ankesave nga operatorët ekonomikë.

“Nuk i di arsyet pse na bëhet presion, por vërtet kemi presion. As nuk na prezantohen njësitet policore kur futen në OSHP”, tha Dina para anëtarëve të Komisionit gjatë raportimit për raportin e njëvjeçar.

Ndërsa, deputeti Blerim Kuqi tha se kjo letër duhet të shqyrtohet seriozisht, ngaqë sipas tij, nuk duhet lejuar të ndodhë kjo nga ana e policisë.

Po ashtu edhe Naser Osmani, anëtar i Komisionit, tha se kjo dukuri duhet të parandalohet dhe të lejohet OSHP të kryejë punën e saj. Osmani tha se nuk duhet lejuar presionin në vendimmarrje të këtij organi.

Edhe Safete Hadërgjonaj tha se presioni i bërë ndaj OSHP-së duhet të ndalet.

“OSHP duhet të kërkojë nga policia arsyen e këtij presioni, dhe të kuptohet nga  kush po ndodh kjo ndërhyrje”, tha ajo.

Ndërsa nuk pati vendimmarrje për miratimin e raportit vjetor dhe për shkresën drejtuar kryetarit të Kuvendit nga OSHP.

Back to top button