Diplomatët: BE vendos sanksione të reja kundër zyrtarëve rusë për shkak të Navalny

 

Ministrat e Jashtëm të BE-së vendosën sot për sanksione të reja, në shënjestër kundër zyrtarëve rusë përgjegjës për veprimet kundër udhëheqësit të opozitës, Alexei Navalny, thanë disa diplomatë për AFP.

Navalny është arrestuar në janar pasi është kthyer nga Gjermania, ku është mjekuar pas helmimit në Rusi, për të cilën ai ka fajësuar Kremlinin. Më 2 shkurt, një gjykatë ruse e ka dënuar Navalnyn me akuzat se ai kishte shkelur dënimin me kusht, për të cilin ishte dënuar më parë duke qëndruar në Gjermani.

BE ka dënuar më parë politizimin e gjyqësorit rus dhe ka kërkuar lirimin e pakushtëzuar të Navalny.

Një “marrëveshje politike” mbi sanksionet e reja u arrit sot në një takim të ministrave dhe kreu i diplomacisë së BE, Joseph Borrell, është i ngarkuar me propozimin e një liste të zyrtarëve rusë kundër të cilëve ato do të vendosen.

“Sanksionet duhet të përfshijnë zyrtarë të policisë dhe drejtësisë ruse, përgjegjës për trajtimin e papranueshëm të Navalny”, tha ministri i Jashtëm austriak Alexander Schalenberg.

Përpara takimit, Moska paralajmëroi BE se ishte “e gatshme të reagojë” në rast të “masave të reja kufizuese të njëanshme, të paligjshme”, deklaroi ambasadori i BE-së Vladimir Chizhov për gazetën gjermane Die Welt.

Back to top button