“Do ta përfshinte tërë lagjen” – u parandalua fatkeqësia, zjarri shkrumboi shtëpi në një lagje të Tetovës!
Gjithandej po rrjedh ujë nga cisternat e veturave zjarrikëse.
Tymi ende del nga kulmet e shtëpive. Kulmet e katër shtëpive sonte në lagjen Kolltuk të Tetovës janë shkrumbuar.
Zjarrfikësit ende veprojnë për të parandaluar shpërndarjen e zjarrit në shtëpi të tjera.
“Kemi bërë punë të madhe. Zjarri do ta përfshinte tërë lagjen”, është shprehur shefi i Zjarrfikësve, Uka Aliti teksa ka raportuar për gjendjen para kreut të Tetovës, Bilall Kasami, transmeton TV21.
Denoncimi ka qenë në ora 19:05, për pak minuta kanë arritur në vendngjarje.
“Në vendngjarje kemi dalë me katër makina dhe 15 zjarrfikës. Kemi arritur shumë shpejtë. Kemi dhënë maksimumin njëherë për ta parandaluar shpërndarjen e zjarrit dhe më pas për të lokalizuar. Fatmirësisht them se të lënduar nuk ka, por tre – katër objekte janë dëmtuar nga shpërthimi i zjarrit dhe është ka vetëm dëm material”, ka thënë Aliti.
Zjarri është lokalizuar, por zjarrfikësit do të qëndrojnë aty deri vonë, ka premtuar Aliti, raporton TV21./21Media