Dy deputetë të LVV-së kundër negociatave për barrikadat

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi dhe Artan Abrashi, reaguan ndaj deklaratave të KFOR se çështja e barrikadave në veri duhet të zgjidhet me dialog. Sipas dy deputetëve kjo janë e papranueshme.
Rrustemi tha se me krimin dhe paligjshmërinë nuk mund të negociohet.
“Duhet ta themi rendin e gjërave ndonëse ai është shumë i thjeshtë dhe i qartë:1. Në Republikën e Kosovës janë bllokuar disa prej rrugëve nacionale. Dhe kjo është e paligjshme. 2. Këto barrikada janë vendosura nga struktura kriminale dhe të armatosura që dirigjohen direkt nga Beogradi, madje këtë edhe e kanë pranuar zyrtarisht. 3. KFOR ka kërkuar pak kohë nga institucionet e Republikës së Kosovës për t’i hequr këto barrikada të paligjshme.4. Jemi në ditën e 14 dhe sot KFOR deklaron që kjo punë të zgjidhet me dialog. Këto deklarata dhe kjo zhagitje vërtetë po bëhen të papranueshme dhe janë duke kaluar çdo pritje. Rendi dhe ligji duhet të mbizotërojë. Me krimin dhe paligjshmërinë nuk mund të negociohet. Barrikadat duhet të hiqen sa më parë dhe Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet ta bëjë këtë gjë.”, tha Rrustemi.
E Abrashi tha se rendi dhe ligji nuk mund të dialogojnë me bandat kriminale.
“KFOR-i kërkoi pak kohë për heqje barrikadash, ndërkaq sot kur u bënë 14 ditë thotë të zgjidhet kjo çështje me dialog. Si ndodhi kjo që nga pak kohë për heqje të barrikadave të kalojmë te negociimi me krimin dhe bandat kriminale e të armatosura.
Kjo është vërtetë e papranueshme. KFOR-i të përmbush misionin e tij ose barrikadat i heq Policia e Kosovës ashtu siç ka shprehur gatishmërinë dhe ka kapacitetin. Rendi dhe ligji nuk mund të dialogojnë me bandat kriminale.”, shkroi Abrashi në Facebook.
Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë i ka bërë thirrje, siç thotë, të gjitha palëve që të përmbahen nga shfaqjet, që i cilësoi, provokuese të forces dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për të mundësuar sigurinë e dhe lëvizjen e lirë në Kosovë. KFOR tha se zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut. Në një përgjigje për RTV21, forca paqeruajtëse e NATO-s tha se që prej muajit tetor ka shtuar praninë e tij përmes trupave shtesë dhe pastrullimeve në pjesën veriore të Kosovës./21Media

Back to top button