Dy gola të Kane vulosin triumfin e Anglisë ndaj Shqipërisë

(Lajm i përditësuar)
Kombëtarja shqiptare u mund me rezultatin 2-0 në “Air Albania” nga lideri i grupit, Anglia.
Megjithëse kuqezinjtë treguan një lojë të mirë dhe krijuan disa raste të rrezikshme, ata nuk arritën t’i konkretizonin, dhe kjo u ndëshkua në fund të takimit.
Harry Kane, që shkëlqeu sërish, realizoi dy gola vendimtarë në minutat 74 dhe 82, duke rritur në 78 numrin e golave të tij për Anglinë në 112 ndeshje.
“Tre Luanët” vazhdojnë të ruajnë portën e paprekur në tetë ndeshjet e grupit dhe me 24 pikë kanë siguruar kualifikimin direkt për Botërorin e vitit të ardhshëm.
Nga ana tjetër, Shqipëria pret me padurim shortin e play-offit më 20 nëntor. Nëse kalon këtë fazë, do të ketë mundësinë të luajë dy ndeshje vendimtare më 26 dhe 31 mars 2026 për një vend në Botërorin historik, në të cilin po synon të jetë edhe Kosova.
Kane shënon sërish, Anglia përforcon epërsinë ndaj Shqipërisë
Harry Kane vulosi epërsinë e Anglisë me golin e dytë ndaj Shqipërisë, duke i çuar “Tre Luanët” në avantazh 2-0.
Sulmuesi anglez tregoi saktësi të lartë duke shfrytëzuar në mënyrë perfekte rastin që iu krijua, duke bërë që kuqezinjtë të hasin vështirësi në tentativat për rikthim në lojë.
Anglia, e cila nuk ka pësuar asnjë gol në shtatë ndeshjet e zhvilluara në grup, tashmë numëron 24 pikë, ndërsa Shqipëria ka siguruar vendin në play-off për Botërorin 2026.
Kane vazhdon formën e jashtëzakonshme këtë sezon, me 13 gola në dhjetë ndeshje për Bayern Munihun.
Kane “thyen heshtjen” dhe çon Anglinë në epërsi ndaj kuqezinjve
Kombëtarja shqiptare u godit në momentin kur po kërkonte të kalonte në avantazh në këtë përballje të fortë.
Megjithë mundësitë e shumta për të shënuar, kuqezinjtë u ndëshkuan papritur nga sulmuesi anglez Harry Kane, i cili arriti të mposhtë portierin Strakosha dhe ta çonte Anglinë në epërsi 1-0,.
Kane, që po kalon një formë fantastike këtë sezon me Bayern Munihun, ku ka shënuar 13 gola në dhjetë ndeshje, vazhdon të jetë kërcënimi kryesor për mbrojtjen shqiptare.
“Tre Luanët” mbeten pa gol të pësuar në shtatë ndeshjet e kualifikimeve dhe kryesojnë grupin me 21 pikë, ndërsa Shqipëria, e cila ka siguruar play-offin për Botërorin 2026, ndodhet në vend të dytë me shtatë pikë më pak.
Anglia kërkon golin, Shqipëria mban fort rezultatin
Kombëtarja shqiptare po mban të paprekur portën edhe pas më shumë se një ore lojë në “Air Albania”.
Anglia tentoi të hapte rezultatin me një veprim të rrezikshëm ofensiv, ku goditja e Dan Burn kaloi shumë pranë rrjetës.
Pavarësisht presionit të rivalëve, kuqezinjtë kanë rezistuar me sukses dhe tabela e shënon ende 0:0 pas mbi 60 minutash lojë.
Strakosha heroik, ndal Anglinë në momentet kritike
Porta e Shqipërisë vazhdon të mbetet e paprekur falë ndërhyrjeve vendimtare të Thomas Strakoshës, i cili ka ndalur përpjekjet e Anglisë në “Air Albania”.
Skuadra angleze po ushtron presion të vazhdueshëm dhe në minutën e 37-të rrezikoi seriozisht të zhbllokojë rezultatin. Pas një kombinimi të shpejtë, topi përfundoi tek Bowen, i cili përfitoi nga një pasiguri në mbrojtjen kuqezi, por tentativa e tij u neutralizua në mënyrë të shkëlqyer nga Strakosha. Goditja përfundoi në këndore, të cilën portieri shqiptar e kontrolloi sërish pa lejuar surpriza.
Më herët, Shqipëria u detyrua të bëjë zëvendësimin e parë. Elseid Hysaj la fushën për shkak të një dëmtimi, ndërsa vendin e tij në të djathtë e mori Ivan Balliu.
Ndeshja po vijon me intensitet të lartë, ndërsa rezultati mbetet ende i barabartë.
Anglia e pathyeshme, por Shqipëria pret një natë të madhe në Tiranë
Përfaqësuesja e Anglisë ka qenë perfekte deri tani në grupin K të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, duke regjistruar shtatë fitore në po aq ndeshje dhe pa lejuar asnjë gol në portën e saj.
Shqipëria, që sonte pret “Tre Luanët” në “Air Albania”, ka mundësinë të bëhet skuadra e parë që i tund rrjetën ekipit anglez.
Ekipi i Sylvinhos e ka siguruar kualifikimin në fazën play-off, ndaj kjo përballje pritet të zhvillohet pa ngarkesë të madhe rezultati për kuqezinjtë.
Shorti i play-offit do të mbahet më 20 nëntor, kur Shqipëria do të mësojë kundërshtarin e saj. Ndërkohë, Anglia e ka të garantuar pjesëmarrjen në Botërorin e vitit të ardhshëm që organizohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Në po këtë fazë do të marrë pjesë edhe Kosova. Dardanët do ta mësojnë kundërshtarin më 20 nëntor dhe, nëse arrijnë të triumfojnë si mysafirë më 26 mars, do të luajnë finalen e vogël gjithashtu në udhëtim, më 31 mars.
Formacionet Shqipëri-Angli
Kombëtarja shqiptare mbyll mbrëmjen e sotme angazhimet në grupin B të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, me sfidën që do të zhvillohet në “Air Albania” kundër Anglisë.
Skuadra e drejtuar nga Sylvinho e ka siguruar tashmë pjesëmarrjen në fazën play-off, ndaj përballja me anglezët pritet të jetë më pak e ngarkuar psikologjikisht. Shorti për play-offin do të hidhet më 20 nëntor, datë kur kuqezinjtë do të mësojnë rivalin e radhës. Ndërkohë, Anglia ka prerë biletën direkt për finalet e Botërorit që do të zhvillohen vitin e ardhshëm në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Përfaqësuesja angleze ka zhvilluar një fushatë të shkëlqyer, duke i fituar të gjitha ndeshjet dhe pa pësuar asnjë gol. Para fillimit të sfidës janë bërë publike edhe formacionet zyrtare.
Shqipëria do të zbresë në fushë me Strakoshën midis shtyllave; Hysaj, Ismajli, Gjymshiti dhe Alija në repartin defensiv; Laçi, Asllani dhe Ramadani në qendër të mesfushës; ndërsa sulmi përbëhet nga Bajrami, Uzuni dhe Hoxha.
Në renditjen e grupit K, Anglia kryeson me 21 pikë pas shtatë ndeshjeve, ndërsa Shqipëria mban vendin e dytë me 14 pikë.
Edhe Kosova do të jetë pjesë e play-offit. Dardanët do të njihen me kundërshtarin më 20 nëntor dhe, nëse arrijnë të fitojnë sfidën e parë si mysafirë më 26 mars, do të zhvillojnë një tjetër ndeshje vendimtare në transfertë më 31 mars./21Media

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?