Dy shtete ofrojnë garanci për lirimin e Hashim Thaçit nga paraburgimi

Mbrojtja e Hashim Thaçit, përmes një parashtrese drejtuar gjykatësit paraprak,  ka bërë të ditur se dy shtete të treta kanë garantuar për lirimin e përkohshëm të tij në territoret e tyre, duke kërkuar lirimin e tij në një nga këto shtete.
Sipas kësaj shkrese, më 5 maj 2021, mbrojtja mori garancinë me shkrim të Qeverisë për lirimin e përkohshëm të Thaçit në territorin e saj, ndërsa thuhet se garanci tjetër me shkrim nga një Qeveri që nuk emërtohet u mor më 14 qershor 2021.
“Të dy shtetet e treta garantojnë që të bashkëpunojnë plotësisht për të siguruar kthimin e  Thaçit, ashtu si dhe kur kërkohet nga Dhomat e Specializuara”, thuhet në këtë parashtesë.
Sipas mbrojtjes së Thaçit, ofertat nga shtetet e treta, të mbështetura nga garancitë me shkrim, zhvendosin ekuilibrin në favor të lirimit të përkohshëm dhe këto garanci janë të mjaftueshme për të adresuar rrezikun e arratisjes dhe pengesave.
Tutje, thuhet se edhe nëse gjykatësi i procedurës paraprake konsideron që Thaçi vazhdon të gëzojë çdo masë të “ndikimit dhe autoritetit”, kjo eliminohet tërësisht nga garancitë e shteteve të treta, të cilat eliminojnë çdo rrezik real të pengesave ose ikjes.
Mbrojtja i ka kërkuar gjykatësit të procedurës paraprake që të kërkojë pikëpamjet e qeverive mbi lirimin e Thaçit në territoret e tyre përkatëse dhe të  urdhërojë lirimin e përkohshëm të Thaçit në një nga këto shtete të treta me kushte të tilla që konsiderohen të përshtatshme./ Betimi për Drejtësi

Back to top button