Edhe 4.5 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën

Sipas një deklarate, Banka Botërore do t’i japë 4.5 milionë dollarë ndihmë shtesë Ukrainës për ta ndihmuar atë “të mbajë shërbimet thelbësore dhe funksionet thelbësore të qeverisë në nivel kombëtar dhe rajonal”, duke u mbrojtur nga forcat ruse.
Paratë, të siguruara nga SHBA-ja, do të ndihmojnë “pagimin e pagave për punonjësit e spitaleve, punonjësit e qeverisë dhe shkollave, pensionet për të moshuarit, pagat për nëpunësit publikë dhe programet sociale për të pambrojturit”, tha Banka Botërore në një deklaratë.
“Në mes të luftës së vazhdueshme dhe shkatërrimit në rritje të infrastrukturës, angazhimi ynë për të ofruar ndihmë urgjente për popullin e Ukrainës është i fortë si kurrë më parë”, tha presidenti i Grupit të Bankës Botërore, David Malpass.
“Ky grant bujar shtesë nga Shtetet e Bashkuara vjen në një kohë kritike pasi vendi përballet me ndërprerje të rënda të furnizimit me energji dhe mot më të ftohtë. Grupi i Bankës Botërore do të vazhdojë të mobilizojë të gjitha burimet e disponueshme për të ndihmuar Qeverinë e Ukrainës të përmbushë nevojat jetike për qytetarët e saj”, shtoi Malpass.
Denys Shmyhal, kryeministri i Ukrainës, njoftoi gjithashtu për ndihmën në llogarinë e tij në “Twitter” të martën. Ai tha se fondet do të ndihmojnë Ukrainën “të përmbushë nevojat urgjente gjatë dimrit”.
Edhe Bashkimi Evropian do të sigurojë 2.5 miliardë euro të tjera ndihmë financiare për Ukrainën, këtë e bëri të ditur të martën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen./21Media

Back to top button