Edhe dy muaj paraburgim të dyshuarve për vrasjen e 18 vjeçares

Gjykata Themelore në Ferizaj ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të dyshuar për vrasjen e 18-vjeçares M.O. në Ferizaj.
Lajmin për portalin rtv21.tv e kanë konfirmuar nga zyra për informim e gjykatës së lartpërmendur.
“Ju njoftoj se Gjykata Themelore në Ferizaj më 16.05.2022 ka vazhduar masën e paraburgim ndaj D.K dhe A. S edhe për dy (2) muaj”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për rtv21.tv.
Ndryshe, Dardan Krivaqa ishte arrestuar më 25 gusht 2021, pasi dyshohet se më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e tij, me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara kishte ushtruar fillimisht dhunë psikike, pastaj edhe dhunën fizike, e cila kishte vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera kishte ndërruar jetë.
Kurse, Arbër Sejdiu ishte arrestuar më 24 gusht 2021, pasi që dyshohet se kishte qenë i pranishëm gjatë gjithë kohës dhe kishte kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës.
Të njëjtit dyshohen se pas rastit, tani të ndjerën e kishin dërguar dhe lënë në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa vet kishin ikur në drejtim të panjohur.
Për këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të dyshuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”./21Media

Back to top button