Edhe një thirrje për Qeverinë që t’i procesojë pagat për mësimdhënësit

Asociacioni i Komunave të Kosovës i bëri sot thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i procesojë pagat për mësimdhënësit.
Bordi i AKK-së thotë se “komunat janë punëdhënëse e përgjegjëse për vijueshmërinë në punë dhe përgjegjëse për ndalesat eventuale sipas legjislacionit në fuqi. Ministria e Financave është vetëm ekzekutuese e pagesave, jo edhe ndërmarrëse e veprimeve të njëanshme pa asnjë vendimmarrje të punëdhënësit, në këtë rast komunave”.
Sipas tyre, kjo qasje e nivelit qendror është në kundërshtim me praktikat e deritanishme të bazuara në ligjet pozitive në Kosovë.
“Deri më tani, në asnjë rast nuk ka ndodhë të kemi ndalesa të pagave të punëtorëve të asnjë sektori me të cilin menaxhojnë komunat, pa veprimin ligjor paraprak të vetë punëdhënësit.  Bordi i AKK-së i bën thirrje Qeverisë të veprojë urgjentisht në procedimin e pagave sipas akteve ligjore në fuqi dhe të praktikuara deri tani. Komunat e Kosovës, padrejtësisht edhe kësaj radhe po goditen në këtë garë të panevojshme ku humbësit më të mëdhenj janë nxënësit e Kosovës”, thuhet në reagim.
Në fund, Asociacioni theksoi se mosekzekutimi i pagave është qasje e panevojshme dhe nuk shkon në dobi të stabilizimit të procesit arsimor.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës të hënën konfirmoi se ka ekzekutuar pagat vetëm për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat e përgjegjësitë e tyre. Por Qeveria ka ekzekutuar  pagat e shtatorit për punonjësit që ishin pjesë e grevës në sektorin publik.
Pas vendimit për mosekzekutim të pagave për mësimdhënësit, pati thirrje të shumta nga opozita, deputetë të pozitës dhe shoqëria civile, që Qeveria të reflektojë dhe t’i paguajë mësimdhënësit./21Media

Back to top button