Ekipi i boksit as sot s’u lejua të hyjë në Serbi

Ekipi i boksit të Kosovës as sot nuk u lejua që të hyjë në Serbi, për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit, që fillon sonte në Beograd.
Siç informoi Komiteti Olimpik i Kosovës, ekipi i boksit tentoi të kalojë kufirin në Merdarë, por pas dy orë pritjesh në kufi dhe kontrollimi të detajshëm të makinës dhe veshjeve, policia serbe mori urdhërin nga Qeveria e Serbisë për të mos lejuar hyrjen në Serbi.
Ekipi i boksit u nis për herë të tretë drejt Serbisë, këtë herë pas insistimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe AIBA-s, me të cilët drejtuesit e KOK-it, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, janë në kontakt të vazhdueshëm.
KOK-u dënoi ashpër veprimin e Qeverisë së Serbisë, derisa u theksua se do të kërkojë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe organet tjera përkatëse të marrin masa ndaj Serbisë./21Media
May be an image of 5 people and people standing

Back to top button