Ende asnjë deklarim për koalicione parazgjedhore

 

Partitë politike të regjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet që të njoftojnë KQZ-në sot deri në ora 18:00. Nga KQZ thonë se deri në këto momente nuk kanë pranuar asnjë deklarim për koalicione.

Partitë më të mëdha nuk kanë shprehur gatishmërinë për koalicione, megjithatë, së fundmi është përfolur për një koalicion të LDK-së me AKR-në e Behgjet Pacollit si dhe të PDK-së me Nismën e Fatmir Limajt. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ditë më parë tha se ata janë të interesuar që kandidatët e AKR-së të përfshihen në listën e saj dhe të garojnë nën logon e partisë së Mustafës, por nuk është bërë e ditur nëse ka pëlqimin e AKR-së.

Ndërsa, mbrëmë kryetari i Nismës, Fatmir Limaj deklaroi se një koalicion i sinqertë dhe me zemër mes PDK-së dhe Nismës do të dilte fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Po ashtu, pritet të kuptohet më shumë edhe rreth fatit të disa partive më të vogla dhe atyre të komuniteteve, të cilët në vijimësi kanë pasur ulëse në Kuvend nëse do të ketë koalicion apo do të bëhen pjesë e listave të përbashkëta me të mëdhatë.

Sipas, rregullave të përcaktuara në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, partitë politike, të cilat nuk e njoftojnë KQZ-në se do të garojnë në këto zgjedhje si koalicione, ato nuk mund të aplikojnë për certifikim dhe të garojnë si pjesë e koalicionit pas afatit të paraparë. Po ashtu, partitë politike që deklarohen se do të garojnë në emër të koalicionit, pas datës 12 janar nuk mund të garojnë si të vetme në zgjedhje. Partia politike, e cila tërhiqet nga koalicioni pas datës 12 janar, nuk mund të garojë si e vetme dhe as të lidhë koalicion me ndonjë parti tjetër. Ndërsa, pjesa tjetër e atij koalicioni mund të marrë pjesë në zgjedhje.

Gjithashtu, të gjitha partitë e regjistruara që vendosin të marrin pjesë në zgjedhje, duhet që të nënshkruajnë formularin e pëlqimit të koalicionit.

Back to top button