Erdogan diskuton me Lukashenkan për luftën në Ukrainë

Zyra e presidentit turk, Tajip Erdogan tha herët të martën se ai zhvilloi një telefonatë me homologun e tij bjellorus Alexander Lukashenko për të diskutuar lidhur me pushtimin rus të Ukrainës.
Dy presidentët diskutuan bisedimet e armëpushimit midis Rusisë dhe Ukrainës, sipas zyrës së Erdogan. Bisedimet nuk arritën një përparim të hënën dhe negociatorët nuk kanë thënë se kur do të zhvillohet një raund i ri, transmeton rtv21.tv.
Zyra e Erdogan tha se ai i tha Lukashenkos se Turqia do të vazhdojë të bëjë përpjekje për të ndalur luftën dhe për të rivendosur paqen. Rusia i quan veprimet e saj në Ukrainë një “operacion special”.
Udhëheqësi i Turqisë tha të hënën se vendi i tij nuk mund të braktisë lidhjet e tij me Rusinë apo Ukrainën, duke shtuar se Ankaraja do të zbatojë një pakt për kalimin përmes ngushticave në ujërat turke që çojnë në Detin e Zi për të parandaluar një përshkallëzim të luftës./21Media

Back to top button