Escobar: Zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit duhet të nisë menjëherë

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet të nisin menjëherë të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve.

Ai këto komente i bëri gjatë një diskutimi virtual me gazetarë. Escobar shtoi se pajtimi i arritur më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është marrëveshje “në të gjitha aspektet” dhe është ligjërisht e obligueshme, që do të jetë pjesë e rrugës evropiane të të dyja shteteve.

“Rruga evropiane është jashtëzakonisht e kushtëzuar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha ai.
Escobar e cilësoi marrëveshjen si “historike” dhe tha se do të ndihmojë partnerët evropianë që palët të mund të zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes.

Escobar po ashtu tha se është e rëndësishme për Kosovën që të nisë draftimin e versionit të saj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurse sipas tij Serbia duhet të nisë të njohë dokumentet dhe simbolet shtetërore të Kosovës.

“Kjo marrëveshje është nisja e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë. Ka shumë punë që duhet të bëhet përtej kësaj marrëveshjeje”, tha ai.

Back to top button