Festivali i Dramës Shqiptare, mirëpritet shfaqja zëvendësim i “Pesë ditë mbret”

Natën e tretë të festivalit të Dramës Shqipe ‘Talia e Flakës’, e cila po mbahet në kuadër të Manifestimit “Flaka e Janarit 2022”, artdashësit kanë pasur mundësi të përcjellin shfaqjen “Hollyshit”, me regji të Ilir Bokshit, jashtë konkurrencës zyrtare.
Shfaqja erdhi si zëvendësim i asaj “Pesë ditë Mbret” të Tetarit të Korçës, që nuk arriti të udhëtojë në Gjilan shkaku i masave të reja antiCovid, ndonëse ishte e planifikuar në programin e festivalit për sonte.
“Hollyshit” nxjerrë në pah e ironizon një situatë e cila në realitetin e përditshëm kalon pa u theksuar. Shfaqja është̈ e zhvendosur në një pjesë të Irlandës, ndërsa flet për një qytezë-provincë e cila “pushtohet” nga një produksion hollivudian, që duan të xhirojnë një film. Statistët hollivudian duke qenë shfrytëzues, në anën tjetër dalin edhe si përçmues të kolegëve të tyre, ‘statistëve’ irlandez”, kështu përshkruhet komedia që u dha sot në Gjilan.
Festivali i Dramës “Talia e Flakës 2022” vijon kalendarin e prezantimeve të mërkurën me shfaqjen ”Marksistët e Leninistët e Zvicrës” të autorit Jeton Neziraj, me regji të Blerta Neziraj, prodhim i teatrit “Adriana” nga Ferizaj, për të vijuar më tej me atë të Shkëlzen Berisha, sipas romanit të Anton Pashkut “Gof” prodhim i teatrit “Metropol” nga Tirana.
Në natën e fundit të Festivalit të Dramës “Talia e Flakës” mysafirë do të jetë shfaqja “Stifler” nga Doruntina Basha, prodhim i Organizatës “Integra”, me ç’rast bëhet ndarja e çmimeve të festivalit./21Media

Back to top button