Fjalët që nuk duhet thënë kurrë një fëmije…

Ne gjithmonë duhet t’i tregojmë fëmijës dashuri, pavarësisht se çfarë veprimi bën dhe sa i gabuar është.
Kështu vlerëson Pranvera Dhima, themeluese e qendrës këshilluese për fëmijë dhe prindër, ACT, me seli në Tiranë.
Ajo, vetë nënë e dy fëmijëve, beson se shoqëria shqipfolëse, ani pse ka shumë dashuri për fëmijët, në përgjithësi është e ashpër ndaj tyre.
“Në shumë raste, gjejmë forma edhe të abuzimit emocional, ndëshkimit fizik ndaj fëmijëve, edhe pse qëllimet dhe dëshirat e prindërve nuk janë për t’i lënduar fëmijët, por për shkak se janë të painformuar dhe nuk marrin kohën e tyre për t’u edukuar si të mirërrisin fëmijë të shëndetshëm, atëherë patjetër që shndërrohen në prindër imponues”, thotë Dhima në episodin e ri të podkastit, Të flasim.
Ajo përmend disa shembuj të prindërimit të ashpër:
“Në qoftë se një prind përdor ndëshkimin fizik për të formësuar sjelljen e fëmijës, nëse ata prindër marrin vendime pa i marrë në konsideratë dëshirat e fëmijës, ai konsiderohet prindërim i ashpër. Në qoftë se ata në përditshmërinë e tyre përdorin shprehjen ‘sepse thashë unë kështu’, ‘sepse unë urdhëroj’, ‘sepse unë jam prindi’ dhe nuk kanë arsyetime ndaj fëmijës, dhe nëse nuk i jep fëmijës mundësinë për të zgjedhur, edhe kjo konsiderohet formë e ashpër prindërimi”.
Ajo shpjegon se simptomat e para që fëmijët i manifestojnë nga format agresive të prindërimit, dalin në pah në adoleshencë.
Ndër format më të shpeshta, sipas saj, janë: vetëbesimi i ulët, krizat e identitetit, paaftësia për t’i shprehur emocionet, mund të shfaqin tentativa për vetëvrasje, përjetojnë ankth social, kanë vështirësi për t’u përqëndruar edhe për të mësuar”.
Psikoterapeuti Besnik Peci, thotë po ashtu se shoqëria shqipfolëse është më e ashpër me fëmijët, por si arsye kyçe përmend pasojat e luftës së fundit në Kosovë më 1999, por edhe luftën botërore me pandeminë e koronavirusit.
“Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, edhe në shoqëritë me më pak probleme, 20 për qind e saj përballet me probleme psikologjike. Jemi shoqëri agresive, ndonëse nuk është faji jonë, por është shkak i situatave, me të cilat janë ballafaquar njerëzit”, shpjegon Besnik Peci.
Ai përmend katër lloje kryesore të stileve të prindërimit:
- autoritar,
- autoritativ,
- lejues dhe
- neglizhues.
“Prindërit autoritarë vendosin rregulla, kanë pritshmëri të lartë prej fëmijëve të tyre, nuk ua japin hapësirën e duhur për zhvillim. Ky stil, potencialisht, akumulon energji negative te fëmijët, dhe në rastin e parë kur ata rriten dhe janë të pavarur, ata dalin prej këtij kafazi dhe tentojnë t’i thyejnë këto rregulla. Stili autoritativ i karakterizon ata prindër, të cilët i pajisin fëmijët me udhëzime, me kufij, u japin pak më shumë liri dhe i lejojnë fëmijët që të mësojnë nga gabimet e tyre”.
Peci i quan prindërit e stilit autoritativ si prindër të guximshëm, “sepse i bëjnë fëmijët që të kuptojnë realitetin dhe, potencialisht, shkathtësitë e këtyre fëmijëve zhvillohen më shpejt”.
“Pastaj e kemi stilin lejues të prindërimit – prindërit kanë thuajse aspak limite për fëmijët e tyre, i trajtojnë fëmijët e tyre si shok/shoqe, kanë raporte dinamike me ta, janë shumë reagues ndaj kërkesave të fëmijëve dhe u dorëzohen kërkesave të fëmijëve. Përmes lirisë së plotë, këta prindër investojnë në fëmijë dhe më pas fëmijët kanë më pak tendenca të jenë agresivë”.
Sipas tij, stili më kritik është ai neglizhues.
“Të gjithë shkencëtarët mendojnë që ky stil i prindërimit mund të jetë jashtëzakonisht i dëmshëm për fëmijët, sepse prindërit i neglizhojnë fëmijët e tyre, dhe më pas fëmijët rrezikojnë qysh në fëmijëri, sepse ndihen të neglizhuar, nuk janë të plotësuar emocionalisht dhe si rrjedhojë kanë tendenca të jenë më agresivë”.