FMN: Riklasifikimi i veteranëve deri në fund të majit

Përfundimi i suksesshëm i programit do t’i përforconte rezultatet e arritura

Autoritetet e Kosovës mbajtën diskutime me stafin dhe menaxhmentin e lartë të FMN-së në Washington gjatë Takimeve Pranverore 2017. Diskutimet kishin në fokus performancën e programit dhe masat e nevojshme për të siguruar përmbyllje të suksesshme të programit.

“Sistemi bankar është i shëndoshë, me nivel solid të kapitalit dhe likuiditetit, me kredi joperformuese në nivelin më të ulët historik, si dhe kanë shënuar fitime të qëndrueshme. Reformat strukturore në fushën e zbatimit të kontratave dhe prokurimin publik janë duke avancuar, gjë që do të ndihmojë në zhbllokimin e kredive bankare dhe do të përmirësojnë mjedisin e biznesit”, thuhet në deklaratën drejtorit të zyrës së FMN-së për Kosovë, Ruud Vermeulen.

Sipas Vermeulen është kritike që ky progres të vazhdojë dhe që autoritetet t’i realizojnë të gjitha masat e mbetura për të siguruar përmbyllje të suksesshme të programit.

“Për ta ruajtur integritetin e procesit të pritur, riklasifikimi duhet të bazohet në vlerësime të besueshme të kohëzgjatjes së shërbimit të veteranëve gjatë luftës. Riklasifikimin e veteranëve të luftës deri në fund të muajit maj”, tha ai.

Vermeulen gjithashtu tha se ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për invalidët e luftës duhet të bëhet deri në mes të muajit maj, ashtu që kriteret për kualifikim për invaliditet të luftës të jenë në përputhje me ato të aftësisë së kufizuar civile.

“Përfundimi i suksesshëm i programit do t’i përforconte rezultatet e arritura me vështirësi përgjatë dy viteve të fundit”, ka thënë Drejtori i Zyrës së FMN-së në Kosovë./21Media

Back to top button