Foda: Mund të dalim të parët në grup, por edhe të katërtit

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, doli sot para mediave në prag të ndeshjes kundër Sllovenisë që zhvillohet më 15 nëntor, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.

Ai foli për gjendjen e skuadrës, rikthimin e disa lojtarëve kyç, formën e Zhegrovës dhe objektivat që ka Kosova në këto dy ndeshje të fundit të kampanjës.

“Që të gjithë lojtarët që janë ftuar janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë kaluar një fazë shumë të mirë në ndeshjet e fundit. Edhe Rrahmani edhe Dellova na janë bashkangjitur tani dhe janë plotësisht në gjendje të luajnë, është e rëndësishme që kemi më shumë mundësi dhe më shumë alternative dhe unë shpresoj që të gjithë lojtarët gjatë gjithë kësaj jave të qëndrojnë fit, të jenë të gatshëm për lojë dhe t’i shfrytëzojmë të gjithë mundësitë”, tha fillimisht Foda.

Trajneri gjerman vlerësoi rikthimin e kapitenit Amir Rrahmani dhe rritjen e minutazhit të Edon Zhegrovës te Juventusi.

“Sa i përket Amir Rrahmanit kemi parë që ai ka pasur një pushim dy mujorë nga ai lëndim dhe pastaj është kthyer nga lëndimi dhe është shëruar plotësisht. Vetëm javën e kaluar i ka luajtur tri ndeshje si nacionale ashtu edhe ndërkombëtare dhe tani duhet që ai të rigjenerohet dhe të përshtatet në ekip dhe të jetë sa më i gatshëm për ndeshjet e radhës. Sa i përket Zhegrovës kemi parë që tani ai po fiton më shumë minuta te Juventusi ku ka marrë 20 deri në 30 minuta. Kjo për ne është shumë me rëndësi sepse ai duhet të rikthehet në fitnesin e tij, ta rikthejë shëndetin e tij, këtë e kemi parasysh dhe tani ne e kemi një ekip shumë të madh dhe kemi shumë lojtarë në dispozicion, të gjithë lojtarët janë me shëndet të mirë dhe tani duke qenë sa ka fituar minuta në klubin e tij, ne do të shohim që atij t’i sigurojmë minuta më shumë se në ndeshjet e kaluara”, deklaroi Foda.

Në fund të konferencës, përzgjedhësi foli për objektivat e Kosovës në këtë cikël kualifikues, duke theksuar rëndësinë e përqendrimit në ndeshjet e fundit.

“Me rëndësi është që fokusin komplet ta bartim te dy ndeshjet e radhës sepse futbolli nuk jeton në të kaluarën por në të tashmen dhe për ne është shumë me rëndësi që ta kemi parasysh që mund të dalim të parët në grup, mund të dalim të katërtit apo edhe të tretit, mirëpo në ndeshjet e kaluara kemi treguar shumë vetëbesim dhe shumë ndeshje të mira dhe cilësi të mira, por duhet ta dimë se në futboll duhet gjithmonë të punojmë shumë fort”, theksoi në fund Foda.

Pas ndeshjes me Slloveninë, Kosova ballafaqimin e fundit në këtë kampanjë kualifikuese do ta ketë kundër Zvicrës më 18 nëntor në Prishtinë.

Back to top button