Fondi i Sigurisë sekret i Qeverisë
Fondin e Sigurisë i cili u themelua që pesë muaj nga Qeveria e Kosovës po vazhdon të mbahet sekret.
As qytetarët dhe as anëtarët e Komisionit për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës nuk e dinë se sa para janë grumbulluar në Fondin e Sigurisë për shkak se Qeveria e Kosovës ka vendosur ta mbajë konfidencial këtë informacion.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në një prononcim për poralin rtv21.tv ka thënë se ky fond në pajtim me Ligjin do të klasifikohet si konfidencial. Por, Kryeziu ka siguruar qytetarët e Republikës se mjetet e grumbulluara do të menaxhohen me “përgjegjshmëri të lartë”.
“Duke u mbështetur në vlerësimet profesionale që marrin parasysh sigurinë kombëtare dhe në pajtim me Ligjin për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, të dhënat dhe detajet tjera për shumën e mjeteve të grumbulluara në Fondin e Sigurisë janë të klasifikuara si konfidenciale. Ne i sigurojmë qytetarët e Republikës se mjetet e grumbulluara do të menaxhohen me përgjegjshmëri të lartë dhe do të shpenzohen vetëm për qëllimin për të cilin është krijuar Fondi”, ka thënë Krasniqi.
Anëtari i Komisionit për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj për portalin rtv21.tv. ka thënë se edhe pse është anëtar i komisionit nuk ka asnjë informacion lidhur me Fondin e Sigurisë.
“Për Fondin e Sigurisë nuk kemi asnjë informatë as ne edhe pse jemi antarë të komisionit për siguri dhe mbrojtje. Krejt çka ka të bëjë me këtë fond është e klasifikuar”, ka thënë Qalaj.
Fondi i themeluar më 2 mars nga Qeveria e Kosovës do të menaxhohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe mjetet e grumbulluara do të përdoren për mbështetje të prioriteteve të Qeverisë, duke përfshirë fushën e mbrojtjes, infrastrukturën e sigurisë, menaxhimin e katastrofave natyrore apo ngjashëm bazuar në vlerësimin e ekzekutivit.
Portali rtv21.tv ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Financave, megjithatë të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Buxheti që ka ndarë Qeveria e Kosovës për FSK-në për vitin 2022 kap vlerën e mbi 100 milionë eurove apo 1,3 për qind të Bruto Produktit Vendor./21Media