​Gërvalla në Austri: Informimi i drejtë, domosdoshmëri ndaj propagandës agresive serbe ndaj Kosovës

Informimi i drejtë i shteteve mike rreth zhvillimeve në Kosovë, përparimit të arritur në shumë fusha, veprimeve destabilizuese të Serbisë, aktit të agresionit ndaj Kosovës, sulmeve ndaj KFOR-it, dhunës sistematike, kërcënimeve dhe shantazheve të vazhdueshme ndaj qytetarëve në veri të Kosovës nga ana e strukturave ilegale, është domosodoshmëri si përgjigje ndaj propagandës agresive serbe kundër Kosovës.

Kështu ka thënë zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla në kuadër të vizitës zyrtare në Austri.

Ajo është takuar me deputeten e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme të Austrisë, znj. Carmen Jeitler-Cincelli, kryetarin e Grupit të Miqësisë Austri-Kosovë, z. Andreas Minnich dhe deputetë të tjerë të Parlamentit Austriak, të cilët i njoftoi ndër të tjera në detaje edhe për sulmin në Banjskë dhe shtrirjen e sovranitetit shtetëror në tërë territorin e vendit, thuhet në komunikatën për media.

“Republika e Kosovës, mbetet e përkushtuar në demokratizim të vendit, sundim të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, mbrojtje të të drejtave të njeriut e lirisë së mediave, fusha këto në të cilat shteti ynë ka arritur rezultate të mëdha, të konfirmuara edhe nga raporte të ndryshme ndërkombëtare”, ka thënë Gërvalla para deputetëve austriakë.

Tutje Gërvalla i falënderoi deputetët austriakë për mbështetjen e Austrisë ndaj Kosovës dhe marrëdhëniet e fuqishme bilaterale.

 

Back to top button