Gërvalla nga New Yorku: Po përpiqemi që mesazhin e Kosovës ta përcjellim te secili
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me shefen e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla kanë shkuar në New York ku në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, krahas liderëve të tjerë botërorë, po marrin pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në një intervistë për RTV21 ka thënë se këtë hapësirë do ta shfrytëzojnë për takime me shtete që takohen më rrallë.
“Gjatë ditës së djeshme kemi pasur takime të shumta, takimet vazhdojnë sot, ka jo vetëm takime bilaterale me shtete por ka sidomos edhe ajo që quhet “side events” në kuadër të Asamblesë së përgjithshme që janë aktivitete të ndryshme që shtetet e ndryshme ose grup-shtetet e ndryshme zhvillojnë, prandaj në të gjitha këto jemi prezent dhe përpiqemi që mesazhin e Kosovës ta përcjellim te secili”, ka thënë ajo.
Gërvalla gjatë intervistës e quajti “takim të mirë” atë me zëvendës sekretarin e shtetit për çështje ushtarake me të cilin biseduan edhe në suaza të lëvizjeve të ndryshme gjeo-politike të këtij viti.
“Biseduam për luftën në Ukrainë, biseduam për gjendjen në të cilën ndodhet Kosova për reformën e jashtëzakonshme dhe zhvillimet e jashtëzakonshme e FSK-së gjatë këtyre viteve dhe thellimin e bashkëpunimit duke ndryshuar ndoshta disa parametra të cilat do të shpërfaqin edhe më qartë bashkimin edhe me të dendur me SHBA-të edhe në aspektin ushtarak”, ka deklaruar ajo./21Media