Gërvalla pas shkarkimit të Krasniqit: Punësimet ilegale të bëra në të kaluarën janë shfuqizuar

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, pas shkarkimit nga detyra të konsullit të Kosovës në New York, Lulzim Krasniqi, sonte ka deklaruar se punësimet ilegale, të jashtëligjshme në këtë ministri, të bëra në të kaluarën, janë shfuqizuar.
“Nëse ndërkohë do të konstatohen të tjera, të cilat ende nuk kanë dalë në pah, edhe ato do të shfuqizohen. Nuk ka gënjeshtër, përrallë, shpikje, presion apo kërcënim që e ndal reformën e domosdoshme institucionale.”, ka shkruar ministrja në Facebook.
Ajo ka shtuar se nepotizmi dhe punësimet e paligjshme e kanë dëmtuar rëndë diplomacinë.
“Prandaj: Drejtësi, barazi, llogaridhënie dhe meritokraci në punësim, vlerësim të punës, ngritje në pozitë, dërgim jashtë vendit. Kjo është formula e një funksionimi më të mirë të MPJD-së dhe e një përfaqësimi më dinjitoz të Republikës së Kosovës jashtë vendit.”, ka shtuar tutje Gërvalla.
Minsitrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka shkarkuar nga detyra, Lulzim Krasniqin, konsull i Kosovës në New York. Krasniqi ka deklaruar se njoftimin e ka marrë përmes e-mailit nga zëvendës-sekretari i përgjithshëm i MPJD-së, Behar Isma, përmes së cilit i është bërë e ditur se marrëdhënia e punës me Ministrinë ka mbaruar më 30 qershor 2022. Ai ka paralajmëruar ankim në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës./21Media

Back to top button