Gërvalla: Rusia dhe Serbia po bëjnë veprime të fshehta në rajon

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se vetëm në dy vjetet e fundit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka kërcënuar Kosovën disa herë me luftë.

Gërvalla tha se Serbia dhe Rusia po bëjnë “veprime të fshehta” edhe në vende tjera të rajonit.

“Ndryshe nga shumë, ne e njohim shumë mirë Vuçiqin dhe ministrin e tij të jashtëm Daçiqin. Të dy ishin ndihmësit më të afërt të ‘Kasapit të Ballkanit’, ish-presidentit serb dhe kriminelit të luftës Millosheviç. Vuçiq ishte ministri i tij i propagandës dhe Daçiq ishte dorë e zgjatur e tij gjatë luftës, masakrës dhe mizorive më të rënda ndaj vendit dhe popullit tonë, jo vetëm që nuk kërkuan falje, por edhe publikisht i nderojnë kriminelët e luftës dhe i mohojnë e falsifikojnë ngjarjet”, ka thënë ajo në një intervistë për gazetën hebraike, Israel Hayom.
Ajo ka thënë se arsyeja që kjo qasje agresive nuk po shndërrohet në konflikt të hapur është frenimi, që sipas saj po e bën Qeveria dhe prania e trupave amerikane në Kosovë. Gërvalla tutje ka thënë se vetëm së fundi, Shtetet e Bashkuara i dhanë një paralajmërim të ashpër Vuçiqit, i cili donte të vendoste trupa serbe në Kosovë.
Ajo ka thënë se të gjitha vendet duhet ta marrin shumë seriozisht kërcënimin ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
“Nëse ne dështojmë të mbrojmë rendin tonë paqësor botëror, të gjithë mund të përfundojmë përsëri në një epokë lufte, por këtë herë një nivel krejtësisht të ndryshëm, global”, ka thënë Gërvalla./21Media

Back to top button