Gërvalla: Serbia ka nisur fushatë sistematike për destabilizimin e rajonit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë sot në Samitin e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Londër të Britanisë së Madhe, organizuar nga sekretarja Liz Truss dhe ministri Wendy Morton.
Shefja e diplomacisë kosovare duke falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për përkrahjen e vazhdueshme, ka theksuar përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave evropiane, me theks të veçantë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Gërvalla ka thënë se përkundër progresit që është bërë që nga formimi i qeverise së re, Kosova është përballur me kërcënime nga Serbia.
Shefja e diplomacisë ka vënë në pah se Serbia para pak javësh ka dërguar automjete të blinduara, trupa dhe aeroplanë luftarakë në kufirin me Kosovën.
Megjithatë kryediplomatja kosovare ka thënë se Kosova nuk është e vetmja që po kërcënohet, por që ka një përshkallëzim të retorikës nga Serbia, edhe ndaj disa vendeve tjera të rajonit.
“Nacionalistët serbë po e kërcënojnë Kosovën me luftë, po provokojnë ndarje në Bosnje dhe Hercegovinë, siç bënë edhe në vitin 1991, si dhe po përpiqen të destabilizojnë së brendshmi edhe vendet e tjera. Këto nuk janë incidente të veçuara; ato janë pjesë e një fushate sistematike për destabilizimin e rajonit, e ndërmarrë nga Rusia dhe përfaqësuesja e saj Serbia. Vetëm para disa javësh u detyruam të largonim nga vendi ynë dy diplomatë rusë për shkak se përbënin kërcënim ndaj sigurisë sonë kombëtare”, ka thënë ajo.
Gërvalla e ka quajtur gënjeshtër të pastër edhe qëndrimin e ministrit serb Vulin, rreth masakrës së Reçakut./21Media

Back to top button