Gjenden mbetje mortore gjatë gërmimeve në Mitrovicën e Veriut

 

 

 

 

Ekipet punuese, gjatë gërmimeve te varrezat e besimtarëve myslimanë në veri të Mitrovicës, kanë zhvarrosur sot mbetjet mortore që dyshohet të jenë të një viktime të luftës së fundit në Kosovë.

Në këtë vend po gërmohet për gjetjen e trupave edhe të 19 personave të zhdukur, që dyshohet të jenë varrosur në këtë lokacion.

Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në kuadër të zyrës së kryeministrit, Kushtrim Gara, ka bërë të ditur për KosovaPress se gjatë gërmimeve të sotme është hasur në mbetje mortore të një viktime të luftës.

Sipas tij, varësisht prej ekzaminimit mjeko-ligjor, përfshirë analizën e AND-së, mund të konfirmohet identiteti i tij.

Për momentin janë duke u zhvarrosur mbetjet mortore të një viktime të luftës, gjithmonë po flas me minimumin meqë pastaj do të vazhdohet me procedurë të mëtutjeshme në kuptimin e ekzaminimit mjeko-ligjor, dhe varësisht prej ekzaminimit, përfshirë edhe identifikimin përfshirë analizave të AND-së, mund të konfirmohet numri i të zhvarrosurve dhe identiteti i tyre…Ne vazhdojmë me thirrjen edhe për bashkësinë ndërkombëtare që të shtojë trysninë te pala serbe që të jetë më bashkëpunuese në këtë proces”, tha Gara.

Ai bëri thirrje qytetarëve që në rast të hasjes së mbetjeve mortore të lajmërojnë institucionet përkatëse pasi përvoja e deritashme gjatë gërmimeve në këtë lokacion, ka konfirmuar se pikërisht për shkak të ndërhyrjes së qytetarëve, të cilët kanë bërë lëvizjet e eshtrave, institucionet kanë dështuar në gjetjen e mbetjeve mortore.

Ndërsa, Bajram Qerkini, kryetar i Shoqatës ‘Zëri i Prindërve’ në Mitrovicë, tha se te varrezat në veri të Mitrovicës dyshohet se ndodhen trupat e 19 viktimave të luftës.

Në këto varreza prej 2013 kemi një dokument që është shënuar nga grupi punues i Beogradit dhe Republikës së Kosovës 22 shenja, dhe prej atëherë gjanë gjetur vetëm tre”, tha Çerkini.

Back to top button