Gjendja e qetë në veri, policia i ruan ndërtesat e Komunave

Policia e Kosovës po vazhdon të qëndrojë afër objekteve të Komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Gjendja e sotme në veri është e qetë. Nuk ka pasur asnjë incident, konfirmoi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri Veton Elshani.

Por nesër në të tri komunat në veri është ditë pune. Nuk dihet nëse do të ketë kundërshtime të reja të serbëve, por të gjitha parashenjat janë se kryetarët shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut nesër sërish do të paraqiten në punë në zyrat e tyre në objekte të komunave.

Gazetari në veri të Kosovës, Branisllav Krstiq, konsideron se situata po tensionohet në kohën kur janë arritur marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai pret që deri në fund të këtij viti të formohet Asociacioni për serbët, por pa kompetenca ekzekutive

“Jemi duke i tensionuar gjërat tash në momentin kur kemi disa marrëveshje sipas planit franko-gjerman dhe aneksit të Ohrit, dhe për mua kjo është e papranueshme. Nëse për drejtues të institucioneve zyrtare vendosim njerëz pa shkollë dhe veç se është i nacionalitetit serb, për mua është qesharake”,
“Jam i sigurt se asnjë qytetar i Kosovës nuk ka asnjë arsye me qenë i shqetësuar, që do të thotë, kosovarët me nacionalitet serb deri në fund të këtij viti do të fitojnë një lloj Asociacioni pa kompetenca ekzekutive dhe territoriale, që do të thotë pa bosnjëzimin e Kosovës. Unë besoj se deri në shtator të vitit të ardhshëm ne do të kemi në këtë pjesë të Ballkanit dy shtete të përfunduara.”, tha ai.

Një ditë më parë, kryeministri, Albin Kurti, tha se shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës “do duhej të ishte gjëja më normale e mundshme”, duke theksuar se i kupton shqetësimet e ndërkombëtarëve, porse, sipas tij, çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë ndaj kryetarëve të rinj të komunave veriore.

Kjo deklaratë e kryeministrit erdhi pas reagimit të rreptë të faktorit ndërkombëtar, që e cilësoi shkuarjen në komunat në veri të kryetarëve të rinj si “hyrje me forcë” dhe dënoi veprimet e institucionet e Kosovës.

Por, autoritetet kosovare fajësuan Serbinë dhe “strukturat ilegale dhe bandat kriminale” për situatën e krijuar, teksa thanë se Policia e Kosovës po realizonte detyrat e saj.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmëruan se veprime të tilla do të rezultojnë “me pasoja” në raportet dypalëshe me Kosovën./21Media

Back to top button