Gjilani pa kinema

Etrit Rexhepi*
Tash e 14 vjet Gjilani mbetet pa kinema. Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (e më vonë e transformuar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit), si institucion i privatizimit në Kosovë, vendosi që në vitin 2007, në valën e 19-të të privatizimit, të përfshihet edhe kinemaja e qytetit të Gjilanit, e cilësuar si ndërmarrje shoqërore në atë kohë.
Ish-drejtori i kinemasë, Bexhet Arifi, i cili shërbeu në këtë pozitë në kohën kur edhe ndodhi privatizimi i kësaj ndërmarrjeje, e quan të dhimbshme mungesën e kinemasë, si institucion kulturor, në qytetin e Gjilanit. Sipas Arifit, kinemaja e qytetit ishte simbol i kulturës në qytet dhe se objekti i kinemasë tashmë i shndërruar në objekt banesor, i plotësonte kushtet në mënyrën më të mirë për të qenë i denjë, si institucion filmi. Ai thotë se megjithë përpjekjet edhe nga ai bashkë me stafin teknik në kinema sidhe nga i tërë komuniteti artistik në Gjilan për pengimin e këtij privatizimi, ata veçse u gjetën para aktit të kryer, e madje nuk ngurron të fajësojë edhe komunën që nuk ju doli në ndihmë atëherë.
E nga zyra e kryetarit të komunës së Gjilanit, thanë se të gjitha përgjigjet për këtë çështje mund t’i gjejmë në planprogramin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt ky nga i cili vjen kryetari i ri i Gjilanit, Alban Hyseni.
Hekuran Rrapuca, asistent i kryetarit të komunës, tregoi se veçse ekziston një plan për kinema.
“Sipas planit qeveritar që e kena bo, e kena mendu amfiteatrin e shkollës privato-publike, Don Boskos, me e shëndrru në një kinema të paktën për sezonin e verës, deri sa ti bëjmë kushtet edhe ekonomike veçse me rregullu nji kinema të re”, tha ai.
Nga Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport nuk konfirmuan ekzistimin e një plani të tillë për shkak se ende nuk ishte i emëruar drejtori i ri i këtij institucioni në atë kohë.
Ndërkaq në Organizatat joqeveritare kulturore në Gjilan, ka shpresë dhe besim se në bashkëpunim me komunën, do të zgjidhet jo vetëm çështja e kinemasë, por edhe shumë çështje tjera.
Avni Shkodra, aktor dhe drejtues i OJQ-së kulturore Varg e Vi, tregoi për bashkëpunimin me komunën dhe tha se është në dijeni të planit të përshkohshëm për kinemanë.
“Nuk është e sigurtë, por ka mundësi që objekti i Don Boskos mun mu shëndrru si kinema afatshkurte”, tha ai.
Tutje ai përmendi si opcion edhe sallën koncertale të shkollës së mesme të artit, por që për këtë edhe çështje tjera, janë në pritje të emërimit të drejtorit të DKRS-së. E mëgjithëse e pranon që nuk arritën të reagonin mjaftueshëm ndaj privatizimit të kinemasë, Shkodra shton se një kinema do të ishte një lajm i mirë për qytetin.
Por, ish-drejtori Arifi u shpreh skeptik rreth këtij plani dhe tha se ai nuk ka pritje të mëdha as nga pushteti aktual rreth kësaj çështje. Madje i quajti të pavërteta premtimet nga të gjitha subjektet politike.
E në ndërkohë edhe qytetarët e Gjilanit shprehin pakënaqësitë në lidhje me mungesën e kinemasë.
Kushtrim Krasniqi qytetar dhe adhurues i filmit flet për nevojën e qytetit për kinema.
“Është tragjike dhe e pakuptimtë fakti që qyteti i Gjilanit, duke e pas kinemanë aktive me ndërtesë të veçantë dhe duke qenë e pajisur mirë si para luftës ashtu edhe pas saj, për rreth 20 vite nuk është aktive. Nuk dua të merrem me atë se kujt duhet t’ja hedh fajin për këtë dështim, mirëpo pasojat kulturore në shoqërinë tonë janë evidente. Të rinjtë dhe të rejat tona, nga mungesa e kinemasë, aktivitet të vetëm “kulturor” (përjashtuar teatrin që edhe për këtë ka çka të flasim, miërpo po e lëmë ndonjëherë tjetër) i kanë shëtitjet nëpër kafiteri e restorane të qytetit”, tha Krasniqi.
Kushtrimi e mirëpret idenë e të paturit kinema në qytet dhe tregon për mundësitë që do të krijonte, ndonëse sipas tij “jemi vonuar me ndërtimin e saj”.
“Patjetër se po. E ceka edhe në pyetjen e parë se mungesa e kinemasë së qytetit paraqet pengesa të panevojshme për qytetarët që të shikojnë filmat e fundit. Me hapjen e një kinemaje në Gjilan, do të thotë që qytetarët tanë do të kenë një aktivitet kulturor tejet atraktiv që do të jetë shumë më e qasshme për ne, më lehtë e arrishme dhe jam i bindur që edhe frekuentimi i saj do të jetë i madh dhe i vazhdueshëm. Vetëm llogariteni atë që e thash më herët: jemi në një udhëkryq mes luginës dhe Kumanovës me rreth si dhe e kemi një diasporë që gjatë sezonave e vërshon qytetin, mendoj që kinemaja është vonuar tepër shumë për Gjilanin dhe hapja e saj duhet të bëhet sa më parë që është e mundur dhe të ketë kapacitete të mëdha për të na pritur të gjithë neve”, shtoi ai.

*Student nga Departamenti i Gazetarisë, Fakulteti i Filologjisë – Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”

Back to top button