Goditi 7 vjeçaren me mjet lundrues, u përjashtua oficeri i Policisë, Arjan Tase

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano i shprehu ngushëllime familjes Avdia për humbjen e jetës së vajzës së tyre 7-vjeçare, e cila sot u godit nga një mjet lundrues, që drejtohej nga një oficer policie në Potam të Himarës.
Nano përjashtoi nga radhët e Policisë së Shtetit oficerin e Policisë, Komisar Arjan Tase, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, i cili u arrestua menjëherë pasi ndodhi ngjarja.
“Oficeri i Policisë ndodhej me pushime në Himarë dhe duke drejtuar një mjet lundrues skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur vajzën 7-vjeçare të familjes Avdia, e cila për shkak të plagëve të marra ndërroi jetë në vendngjarje.”, informoi Policia e Shtetit.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano pezulloi nga detyra, deri në ndriçimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj.
“Njëkohësisht, Drejtor Nano ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike, për ngritjen e një grupi të posaçëm, për të verifikuar zbatimin e porosive të dhëna së fundi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për shtimin e masave të sigurisë në zonat bregdetare.”, u bë e ditur në njoftimin e Policisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shpreh mbështetje dhe inkurajon grupin hetimor të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i cili nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, vijon punën për ndriçimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje./21Media

Back to top button