Grabiti një pikë të karburantit, arrestohet një i dyshuar

Policia e Kosovës ka arrestuar një 24-vjeçar të dyshuar për grabitje në një pikë karburanti në rrugën “Bajram e Gursel Sylejmani ” në Ferizaj.
Grabitja e armatosur kishte ndodhur më 10 janar të këtij viti.
“Me datën 10.01.2023 rreth orës 00:43 Policia Rajonale e Ferizajt, kishte pranuar një informacion se në rrugën “Bajram e Gursel Sylejmani ” në Ferizaj ishte një rast i grabitjes, ku një person i dyshuar nën kërcënimin e armës së zjarrit arrinë të marrë 500 euro nga punëtori në një pikë karburanti dhe largohet në drejtim të panjohur. Pas një pune intenzive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, shikimit të kamerave të sigurisë, kanë identifikuar e më pas sot, datë 12.01.2023 në ora 19:00 kanë arrestuar të dyshuarin N.B (M/K) i moshës 24 vjeçar”, ka njoftuar Policia.
I dyshuari është shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt, përkatësisht në Sektorin Rajonal të Hetimeve dhe pas intervistimit nga policët hetues në prani të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit të rastit dërgohet në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti është cilësuar ” Grabitje”./21Media

Back to top button