Me rastin e 30 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur, sonte në Krushë të Madhe janë bërë homazhe te kompleksi memorial, si dhe është bërë ndezja e flakadanëve. Me këtë rast iu bë thirrje kryeministrit Avdullah Hoti që në takimin e Uashingtonit me palën serbe të hapë temën e personave të pagjetur.

Përfaqësuesi i familjarëve të të pagjeturve Selami Hoti gjatë ndezjes së flakadanëve në kujtim të personave të pagjetur tash e 21 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, ka thënë se kërkojnë me ngulm që të merren me çështjen e të pagjeturve.

Këtu prapa nesh, me rastin e shënimit të 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të zhdukurve me dhunë, në mënyrë simbolike jemi mbledhur që edhe kësaj radhe të t’i kujtojmë dhe të kërkojmë me ngulm nga të gjithë njerëzit, nga të gjithë akterët politikë, të cilët do të merren me këtë çështje të ndjeshme, të bëjnë më tepër për zbardhjen përfundimtare të fatit të të pagjeturve”, ka thënë Hoti.

Kryetari i Këshillit koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të Personave të Pagjetur, Ahmet Grajçevci, ka thënë se edhe pas më shumë se dy dekada të përfundimit të luftës kërkohet zbardhja e fatit të të pagjeturve.

Ai ka thënë tutje se bashkësia ndërkombëtare duhet të ndihmojë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Krusha është dëmtuar shumë sot. Gjatë rrugëtimit në anën e majtë, të djathtë shohim varrezat e dëshmorëve, varrezat e martirëve, varrezat e fëmijëve, dhe erdhëm në Krushë, siç shihet rendi është shumë i gjatë nga dora barbare serbe që bëri krim mbi këtë popullatë të pafajshme… Shpresoj që bashkësia ndërkombëtare do të bëjë një trysni më të madhe për zbardhjen e fatit të pagjeturve pasi Kosova ka ende edhe 1641 të zhdukur. Shpresoj që edhe zyrtarët tanë në bisedime të bëjnë trysni dhe janë të obliguar të bëjnë trysni sepse pa një trysni të madhe të bashkësisë ndërkombëtare mbi Beogradin, nuk do të zbardhet fati i të pagjeturve”, ka thënë Grajçevci.

Ndërsa, Kumrie Karaçica nga Shoqata për persona të zhdukur, ka një apel për kryeministrin Hoti para takimit të tij në shtator me palën serbe në Shtëpinë e Bardhë.

Kishim bërë apel kryeministrit që do të udhëtojë në Uashington që temë diskutimi të jetë çështja e personave të zhdukur, sepse është një kohë shumë e gjatë që jemi duke pritur që të kthehen edhe ata 1641 të zhdukur, të cilët janë marrë të gjallë nga Kosova dhe janë torturuar, janë masakruar dhe për t’i zhdukur gjurmët e tyre, i kanë zhdukur dhe i kanë dërguar në Serbi”, ka thënë Karaqica./KP