Haliti: Nuk jemi afër marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, kemi sfida tjera përpara

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti përshëndeti arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumente udhëtimi. Mirëpo thotë se ka çështje më të rëndësishme që duhet diskutuar dhe zgjidhur deri te arritja e një marrëveshje përfundimtare me shtetin fqinj.
RTV21: Z. Haliti si e vlerësoni marrëveshjen e arritur për dokumente të udhëtimit në mes Kosovës dhe Serbisë?
Xhavit Haliti: Normalisht që meqenëse e kanë përshëndetur të gjithë mendoj që është një fillim i zgjidhjes së nyjës së raporteve të vjetra mes dy palëve, do të thotë Kosovës dhe Serbisë. Uroj që mënyra ose forma e zgjidhjes së problemeve të shkojë deri aty sa ta njohim njëri-tjetrin si shtet dhe të bëjmë punën tonë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.
RTV21: Marrëveshja nuk përmban pjesën për targa, a mund të shkaktojë më shumë probleme?
Xhavit Haliti: Çështja e targave edhe ajo duhet të bisedohet e trajtohet. Jam paksa fleksibil për çështjen e targave, ne kemi një sistem targash kudo në Evropë dhe Shqipëri, për shembull që njeriu i zgjedh vetë targat. Nëse nuk arrihet diçka atëherë do të duhej që vullneti i secilit qytetarë për të pasur një targë të makinës të shënuar siç e do ai, duhet të bëhet me pagesë dy-tre fish në raport me tjerët që kanë targa të zyrtare.
RTV21: A po i afrohemi një marrëveshje përfundimtare dhe sa është i gatshëm kryeministri Kurti ta përfundojë këtë?
Xhavit Haliti: Unë nuk e besoj që jemi shumë afër. Besoj që kemi me pasur sfida të tjera, kemi me pasur sfida për çështjet shumë më të mëdha se ajo e udhëtimit të qytetarëve, sepse udhëtimet mund të rregullohen. Ka nevojë që shumë çështje të diskutohen, kjo çështja e udhëtimit është mirë për qytetarët që punojnë në diasporë dhe qytetarët serb të cilët udhëtojnë në Serbi.
Kujtojmë se Bashkimi Evropian njoftoi më 27 gusht se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për eliminimin e lëshimit të dokumenteve për hyrje-dalje. Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes./21Media

Back to top button