Është bërë lansimi  fushatës për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë

Është bërë lansimi  fushatës për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me Bashkimin Evropian Zyra në Kosovë dhe partnerë tjerë social kanë bërë lansimin e fushatës për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

Zv/ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Safet Kamberi, tha se përmes lansimit të kësaj fushate sensibilizuese qëllimi kryesor do të jetë promovimi dhe vetëdijesimi i shoqërisë kosovare mbi legjislacionin rreth sigurisë dhe shëndetit në punë si dhe kushteve e raporteve tjera të punës me impaktin pozitiv në punësim.

“Në bashkërendim me projektin e asistencës teknike, pra kjo fushatë duke promovuar shumë materiale promovuese, vetëdijesuese, informuese do të ketë vizita nëpër kompani nga sektorë të ndryshëm, broshura, postera, buletinë, qanta tekstili, fletore, debate mediale dhe një konferencë regjionale për t’u përmbyllur në fund të muajit qershor”, tha ai.

Sipas tij, projekti në fjalë, i cili është i financuar nga Bashkimi Evropian dhe implementuar nga ARCHIDATA, ka për qëllim ta ndihmojë Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale ta afroj dhe përshtat legjislacionin e Kosovës në fushën e kushteve të punës me standardet ligjore të BE-së.

Përfaqësuesi i BE-së Libor Chlad shprehu optimizmin e tij se kjo fushatë sensibilizuese do të jetë një mundësi e madhe për të përmirësuar gjendjen në fushën e sigurisë në punë në mes bizneseve dhe qytetarit.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës Basri Ibrahimi premtoi se do të intensifikohen veprimet e inspektorëve të punës në terren, pasi gjendja e sigurisë në vendin e punës sipas tij nuk është përmirësuar krahasuar me vitin paraprak, duke përmendur kështu numrin e të vdekurve i cili ka shkuar në 7 dhe kjo paraqet një gjendje alarmante për të vepruar.

Me hapjen e kësaj fushate në sheshin Nënë Tereza është hapur edhe ekspozita apo punimet në pikturë me temën “Siguria dhe Shëndeti në Punë”.