Haradinaj bëri homazhe te Shtatorja e Heroit, Zahir Pajaziti

23 vjetori i rënies së tyre

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri sot homazhe te Shtatorja e Heroit, Zahir Pajaziti, në Prishtinë dhe tek vendi i rënies së tre heronjve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha në Pestovë të Komunës së Vushtrrisë, në 23- vjetorin e rënies së tyre.

Haradinaj, gjatë homazheve të shtatorja e Zahir Pajazitit, tha se komandanti Zahir Pajaziti ishte njëri nga themeluesit e UÇK-së që ka lënë pas vetës vërtet një shembull të një luftëtari të zot e të një bashkëluftëtari të mirë.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj,  ministri i FSK-së, Rrustem Mustafa, dhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, bënë homazhe te lapidari i rënies së  heronjve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha në Pestovë të Vushtrrisë.

Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se sot ishin në vendin ku kanë rënë në fushëbetejë tre heronjtë e Kosovës. “Këta jo vetëm që ishin luftëtarët e parë e themelues të UÇK-së, por edhe ishin luftëtarë të zotë dhe të gjithë ne i nderojmë me respekt dhe vetvetiu edhe kjo ditë është një ditë e rëndësishme në historinë tonë”, u shpreh Haradinaj./21Media

 

Back to top button