Haradinaj: Ky është reciprociteti mashtrues i Albin Kurtit!

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i ka reaguar Qeverisë Kurti për importin e lartë nga Serbia.
Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook”, ka bërë një krahasim të importit të mallrave nga Serbia në kohën kur ka qeverisur kur ishte në fuqi taksa 100% me “reciprocitetin e Albin Kurtit”.
Sipas kreut të AAK-së në vitin 2019, Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë vetëm 4.4 milionë edhe atë duke paguar taksë 100% ndërsa në qeverinë e Kurtit kjo shifër vetëm për vitin 2021 ka mbërritur në mbi 300 milionë dhe me reciprocitet.
“O Popull, shpenzojeni një minutë për të parë çka është reciprociteti i Albin Kurtit”, ka bërë thirrje Haradinaj duke e thënë se ky është “reciprociteti mashtrues i Albin Kurtit”.

Gjatë vitit që lamë pas Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë rreth 300 milionë euro, ndërsa ka eksportuar në këtë shtet fqinjë më pak se 2 milionë euro.
Derisa top pesë vendet kryesore nga janë importuar mallrat në vendin tonë, pas Gjermanisë është edhe Serbia, e cila shënon rritje në vitin 2021, në 300 milionë euro, krahasuar me vitin 2020, ku importi prej Serbisë ishte 174 milionë euro.
Për rikthimin e tregut kosovar nga Serbia pas reciprocitetit dhe rënien e trendit të eksportit me këtë shtet, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë se nga Serbia dominojnë dy industri kryesore të cilat eksportohen drejt Kosovës, industria ushqimore, si dhe industria e materialit ndërtimor./21Media

Back to top button