Haradinaj: Masakra e Reçakut një akt çnjerëzor, tronditi mbarë botën demokratike

Kryetari i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe për nderë të 25 vjetorit të Masakrës së Reçakut. Ai e ka quajtur atë një akt çnjerëzor që ka tronditur mbarë botën demokratike.

“Para 25 vitesh, një akt çnjerëzor tronditi mbarë botën demokratike dhe shtyri Perëndimin të mobilizohej dhe të ndalojë me forcë shfarosjen e një populli të tërë. Masakra e Reçakut, mbetet simboli i krimit gjenocidal që aparatura shtetërore ushtarake serbe kreu në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.

Tutje ka shtuar se kjo masakër ka bërë një kthesë historike duke prekur thellë në ndërgjegjen e kombeve të fuqishme për të lëvizur me NATO-n në krye me ShBA-të, shkruan rtv21.tv.

“Sot, në nderim martirëve të kësaj masakre, kam bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak. Me respekt të thellë do të kujtojmë gjithmonë ata që me flijimin e tyre u bënë themelet e lirisë sonë”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj gjithashtu ka falënderuar Ambasadorin amerikan, William Walker, që e përkufizoi këtë masakër si krim kundër njerëzimit.

“Mirënjohës përjetë Ambasadorit amerikan, William Walker, që e përkufizoi këtë masakër si krim kundër njerëzimit. Në të njëjtën kohë, falënderojmë Amerikën e cila ishte krah nesh në të gjitha periudhat historike”.

Ndërsa nuk ka kaluar pa e përmendur edhe nevojën për stabilitet në Kosovë dhe më shumë paqe në rajon e në botë.

“Në këtë përvjetor të masakrës së Reçakut, theksohet nevoja për stabilitet dhe më shumë paqe në rajon e botë. Kosova është e gatshme të japë kontributin e saj duke qenë në rresht si anëtare e NATO-s së udhëhequr nga miqtë tanë, ShBA-të”, ka përfunduar Haradinaj./21Media

Back to top button