Haxhiu: Do të shtojmë buxhetin për institucionet e drejtësisë

Në seminarin e 102-të të Rose-Roth, i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka folur për angazhimet e qeverisë në reformën në drejtësi ku ka theksuar rëndësinë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Theksojmë nevojën për profilizim më të madh të policëve, prokurorëve e gjyqtarëve. Si qeveri jemi duke punuar të shtojmë buxhetin për institucionet e drejtësisë me qëllim që ata të kenë mundësi të luftojnë edhe veprat e tjera. Është e rëndësishme që sot institucionet e Kosovës janë të pakorruptuara, kemi qeveri me duar të pastra që nuk toleron keqpërdorime dhe adreson secilën shkelje që mund ta gjejmë”, tha ajo.
Haxhiu ka thënë se janë duke punuar edhe për strategjinë për drejtësi tranzicionale.
“Jam po aq e shqetësuar sikurse qytetarët me rritjen e rasteve të dhunës në familje. Ende vlerësoj se një përqindje e vogël po raportojnë dhunën. Kemi ndërmarrë disa veprime, kemi miratuar strategjinë kombëtare kundër dhunës në familje, kemi ofruar mbrojtje juridike për gratë dhe vajzat e mbijetuara të dhunës”, tha Haxhiu.
Ministrja Haxhiu ka thënë se synimi i qeverisë është kthimi i besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë dhe sipas saj puna e qeverisë është fokusuar që Kosova të ketë drejtësi të pavarur dhe efikase.

Back to top button