Haxhiu: Të rinjtë meritojnë një ambient ku shteti është përkrahës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë ka thënë se progresi i çdo shoqërie është i lidhur ngushtë me rininë.
“Si frymë dhe vullnet, entuziazëm dhe besim. Synimet e tyre këmbëngulëse sjellin rezultate, qofshin ato individuale apo në kauzat e përbashkëta shoqërore”, ka thënë Haxhiu.
Ajo tutje ka theksuar se të rinjtë janë aseti më i çmueshëm i çdo shoqërie dhe se Kosova është një vend i cili lakmohet nga të gjithë për rininë që ka, përbrenda saj edhe potencialin e jashtëzakonshëm.
“Qytetarët sikurse edhe kategoria e të rinjve meritojnë një ambient ku shteti është përkrahës, ku institucionet janë mundësi dhe ndihmesë për të ndërtuar një jetë sa më të mirë, pranë familjes e në atdheun e tyre”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Haxhiu tutje ka thënë se me përkushtim, përkundër sfidave të shumta po angazhohen që të rinjtë të jenë përherë krenarë me vendin e tyre për jetën që mund të ndërtojnë në një shoqëri me mundësi të barabarta për të gjithë.
Dita Ndërkombëtare e Rinisë shënohet më 12 gusht të çdo viti. Ajo është caktuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1999 me miratimin e rezolutës 54/120. Kjo ditë është menduar si një mundësi për qeveritë dhe të tjerët për të tërhequr vëmendjen për çështjet rinore në mbarë botën./21Media

Back to top button