Haziri: Nuk do t’ia falim asnjë minutë dhe asnjë votë rivalëve

​Dega e LDK-së Gjilan hapi zyrtarisht fushatën

Dega e Lidhjes Demokratike e Kosovës në Gjilan, menjëherë pas mesnatës ka hapur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 qershorit.

Menjëherë pas hapjes së fushatës, i pari i Degës së LDK-së në Gjilan, njëherit nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri, ka përcjellë selame të forta për rivalët.

“Edhe njëherë nga Gjilani ju tregojmë të gjithë atyre që rrëzojnë qeveri sa herë duan dhe që për interesa të tyre partiake nxjerrin në Ramazan e Krishtlindje njerëzit në votime, se ne nuk i falim në këtë mision politik. Gjilanasit dhe mbarë Kosova nuk do t’ia falë asnjë minutë dhe asnjë votë”, tha Haziri.

Ai ka nënvizuar se kalicioni LDK-AKR dhe të tjerët, është koalicion me qytetarët, për Kosovën, për integrime euroatlantike dhe koalicion, i cili, përfaqëson të ardhmen, vizionin zhvillimin dhe përfaqësimin qytetar më të sigurtë në Kuvend.

Haziri ka apeluar të gjithë qytetarët, veçanërisht votuesit e ri që të aktivizohen dhe të votojnë për Koalicionin e Besës dhe Shpresës, për ta zhvilluar vendin në të gjitha aspektet.

Krejt në fund, Haziri ka prezantuar kandidatët për deputetë nga radhët e LDK-së dhe aleatëve, për të cilët tha se janë padiskutim më të mirët dhe janë njerëz të dëshmuar e të pastër si loti.

Ndryshe, nga radhët e LDK-së në Gjilan garojnë për pozitën e deputetit, Lirije Kajtazi, Imet Rrahmani, Valentina Bunjaku Rexhepi e Isa Agushi, përderisa nga koalicioni garojnë: Avdil Halimi, Ismet Hajdini, Labinotë Demi Murtezi dhe Selvete Shurdhani./21Media

Back to top button