Haziri: Vetëm në këtë zaman ka ndodhë që një foshnje të futet në lavatriçe

Pas raportimit se një foshnje e lindur pa shenja jete dyshohet se është futur në rrobalarëse e mbështjellë me çarçafë nga personeli mjekësor në Spitalin e Pejës ka reaguar edhe ish- kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Ai ka kërkuar përgjegjësi nga Kryeministri e Presidentja për rastin pasi sipas tij, me kryeministër e president që e kanë zbulu Putinin e Ballkanit, as një bebe të vogël nuk e shpëtuan dot.
“Vetëm në këtë zaman ka ndodhë që një foshnje të futet në lavatriçe! Zaman pa ministër të Shëndetësisë. Zaman me 17 % të territorit të bllokuar e nën bojkot! Me kryeministër e president që e kanë zbulu Putinin e Ballkanit! As një bebe të vogël nuk e shpëtuan dot. Nuk e shpëtuan as studentin e shkëlqyer, Agon Musliu, gjatë pandemisë. Kush e kish mendu këtë zaman?! Kush po beson se e ‘shpëton’?! Duam #përgjegjësi në Prishtinë e jo në Pejë. #Drejtësi për foshnjën pa emër!”, ka shkruar Haziri.
Një foshnje e lindur pa shenja jete javën e kaluar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, dyshohet se është futur në rrobalarëse.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, për portalin rtv21.tv tha se autoritetet kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet.
Organet e hetuesisë dhe organet menaxheriale të Spitalit të Pejës janë duke bërë hetime të detajuara lidhur me këtë rast, thotë spitali, duke theksuar se hetimet po bëhen për mënyrën si është ruajtur fetusi i vdekur.
Lidhur me rastin shtatë punonjës të spitalit janë suspenduar./21Media 

Back to top button