Hoti: Mospjesëmarrja e Kurtit në takimin në Tiranë, heqje dorë nga obligimet shtetërore

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka folur në lidhje për mospjesëmarrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në takimin që ka thirrur homologu i tij i Shqipërisë, Edi Rama, me liderët e rajonit, duke thënë se kjo ‘është heqje dorë nga obligimet shtetërore’.
Hoti ka thënë se mospjesëmarrja e Kurtit, në këtë takim tregon mungesë serioziteti dhe respekti për Tiranën dhe për Procesin e Berlinit.
“Mospjesëmarrja e Kryeministrit në takimin përgatitor në Tiranë për Procesin e Berlinit është heqje dorë nga obligimet shtetërore dhe tallje me aspiratat e popullit të Kosovës për integrim evropian”, ka shkruar Hoti.
“Procesi i Berlinit është përcaktuar për integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Që nga fillimi i tij në vitin 2014, dakordimet e arritura në takimet vjetore të Procesit të Berlinit kanë qenë përcaktuese për progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Bazuar në ato dakordime, janë marrë vendimet përkatëse të institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për Kosovën ka qenë tepër e rëndësishme pjesëmarrja në këtë mekanizëm, mbi baza të barabarta si çdo vend tjetër, duke qenë faktor përcaktues për progresin në integrimin e rajonit së tërësi në BE. Kështu që, nuk ka asnjë takim tjetër më të rëndësishëm për Kryeministrin e Kosovës se pjesëmarrja në takimin përgatitur që po mbahet në Tiranë. Mospjesëmarrja në këtë takim tregon mungesë serioziteti dhe respekti të Kryeministrit për Tiranën dhe për Procesin e Berlinit. Mospjesëmarrja në këtë takim është heqje dorë nga obligimet shtetërore të Kosovës. Mospjesëmarrja në këtë takim është tallje me aspiratat e popullit të Kosovës për integrim evropian”, ka shkruar ai.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili tha se kryeministri ka angazhime tjera në Greqi./21Media
NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA