Hoti: Pas vendimit të Apelit, ZRrE të vendos se si do të kompenzohen qytetarët

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se pas vërtetimit të Apelit për vendimin e Themelores për anulimin e tarifave të rritura të rrymës, ZRrE duhet të marrë vendimin e nevojshëm për kompensim të qytetarëve.
“Gjykata e Apelit vërteton vendimin e Themelores – anulohen tarifat e rritura të energjisë elektrike. Tani është me rëndësi që institucionet përkatëse të krijojnë qartësi juridike se si do të kompensohen qytetarët për pagesat me rritje të faturave të energjisë. ZRRE-ja duhet të marrë vendimet e nevojshme për mënyrën se si do të kompensohen qytetarët. Sikur të përfilleshin propozimet që i kemi dhënë me kohë, nuk do të vinim në këtë situatë. Për kostot e shkaktuara ndaj mijëra familjeve duhet të ketë përgjegjësi politike”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses/propozueses Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kishte pezulluar vendimin e ZRrE-së për tarifat e reja për energji elektrike.
Paraprakisht, ZRrE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike.
Pavarësisht se Themelorja pati vendosur ta pezullojë vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, faturat qytetarëve u kanë shkuar me tarifat e reja./21Media 

Back to top button