Hoti: Qeveritarët t’i tregojnë popullit pse Amerika po thotë s’është koha për njohje nga Serbia

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Avdullah Hoti, pyeti se çfarë ka ndodhur në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në që njohja reciproke nuk është më në qendër.
Ai ka thënë se “qeveritarët duhet t’i tregojnë popullit ku e kanë katandisur punën që e ka shtyrë SHBA-në të deklarojë se nuk është koha për njohje nga Serbia”.
“Qeveritarët duhet t’i tregojnë popullit ku e kanë katandisur punën që e ka shtyrë SHBA-në — aleatin kryesor Kosovës — të deklarojë se nuk është koha për njohje nga Serbia. Çfarë ka ndodhur në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në që njohja reciproke nuk është më në qendër?!”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Gazetari i “The Economist”, Tim Judah, i cili ka raportuar edhe gjatë luftës së Kosovës, ka publikuar një artikull lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, me titull “A do të përfundojë ndonjëherë lufta e Kosovës?”.
Judah ka intervistuar disa figura kyçe në mesin e politikanëve e aktivistëve, që kanë impakt në zhvillimet politike. Në mesin e tyre, Judah ka intervistuar edhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier i cili është shprehur skeptik se në këtë kohë, pas tensioneve të fundit në veri, Serbia mund ta njohë Kosovën.
“Ai më tregoi se, përderisa qëllimi i fundëm ishte njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ‘e cila për fat të keq tani nuk është e mundur, sfidat e sotme ende mund të tejkalohen’”, rrëfen Judah, duke parafrazuar dhe cituar ambasadorin Hovenier./21Media

Back to top button