Prokuroria kërkon paraburgim për Dibran Hoxhën dhe të dyshuarit e tjerë

Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar masën e paraburgimit për Dibran Hoxhën dhe pesë të dyshuarit e tjerë për rastin e vrasjes së rëndë, mëngjesin e së martës, më 3 janar 2023 në një lokal nate në Prizren.
Dyshohet se ngjarja tragjike ishte si shkak i një konflikti rreth pagesës së një fature.
Dibran Hoxha po dyshohet se ka shtënë në drejtim të tre shtatasve të Shqipërisë derisa sa kanë qenë duke u larguar me veturën e tyre nga parkingu i lokalit “Kobra City”.
Si rrjedhojë, 31 vjeçari V.C., nga Kukësi ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur.
Lidhur me këtë të mërkurën prokurorja Nazan Shero ka kërkuar paraburgim për të dyshuarit.
Sipas Prokurorisë janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase.
“Konsideroj se paraburgimi është masë adekuate për këtë fazë”, tha mes tjerash prokurorja Nazan Shero.
Nexhat Elshani mbrojtës i Dibran Hoxhës ka thënë se kërkesa e paraburgimit nuk ka mbështetje ligjore pasi nuk janë plotësuar kushtet e karakterit material për aprovimin e kërkesës.
“Paraburgimi është një masë e rëndë andaj i propozoj gjyjatës që të njëjtën ta refuzojë si të pabazë”, u shpreh Elshani.
Avokati Nexhat Elshani ka konsideruar se nuk ka bazë pasi nuk ka dyshim të bazuar siç parashihet në ligj.
“I mbrojturi im dyshohet për tri vepra penale, por nuk ka dyshim të bazuar për vrasjen e rëndë. Nuk ka dyshim te bazuar as për mbajtje në pronësi të armës ngase në zinxhirin e ruajtjes nuk ka armë, kurse sa i përket veprës manipulimi me prova i mrojturi im nuk ka qasje në kamera pasi të njëtat janë marr para një viti për një rast tjetër”, ka thënë avokati.
Ai ka shtuar se me faktin se nuk ka dyshim të bazuar nuk janë përmbushur as kushtet ligjore për paraburgim.
Avokati më tej ka thënë se Dibran Hoxha vetë e ka lajmëruar rastin dhe është paraqitur në polici.
“I mbrojturi im është i interesuar që sa më shpejt të zbardhet rasti për të cilin dyshohet”, ka deklaruar avokati.
Avokati i ka prpozuar masa të tjera për sigurimin e prezencës së të dyshuarve.
Dibran Hoxha ka thënë se personat e tjerë nuk janë punëtorë në lokalin e tij.
“Vetëm i pandehuri Armend Vezaj është punëtor i lokalit ‘Kobra city’, kurse të tjerët janë klientë në këtë lokal të cilët atë natë kanë qenë rastësisht atë natë aty”, ka thënë Hoxha.
Sipas Prokurorisë së Prizrenit, Dibran Hoxha po dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj tre të rinjve nga Kukësi, njëri prej të cilëve, 31-vjeçar, mbeti i vdekur, e një tjetër i plagosur.
Shkrepja e zjarrit dyshohet të ketë ndodhur në drejtim të viktimës derisa sa ai dhe të tjerët kanë qenë duke larguar me veturën e tyre nga parkingu i lokalit “Kobra City”.
Kjo është konfirmuar edhe nga kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala, i cili ka thënë se në momentin kur tre shtetasit e Shqipërisë po largoheshin me automjet, janë qëlluar nga D.H. me armë zjarri.
“Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjetin e tyre të markes Audi, dyshohet se shtetasi D.H., ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre”,  ka deklaruar kryeprokurori Shala.
Shala ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti në lokalin Kobra City me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve./kallxo

Back to top button