I plasi goma e kamionit teksa po e fryente, vdiq punonjësi
Një incident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Milot në Shqipëri, ku një person ka humbur jetën.
Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur kryqëzimi i Spitenit, pranë një servisi.
Goma ka plasur teksa gomisti që ka qenë duke e fryrë ka humbur jetën.
“Rreth orës 08:30, në një servis automjetesh në afërsi të Kryqëzimit të Spitenit, shtetasit S. M. 53 vjeç, gomist pranë servisit, duke punuar, i ka shpërthyer një gomë automjeti, e për pasojë ka humbur jetën”, njoftoi policia.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për rastin.
Kjo nuk është hera e parë që një punonjës servisi humb jetën pas shpërthimit të një gome.
Në korrik të 2021 një 20 vjeçar, punonjës servisi humbi jetën në Kënetë pasi goma e kamionit që po rregullonte i shpërtheu. Po ashtu në mars të 2020 një gomist 28 vjeçar në Bathore humbi jetën pasi i shpërtheu një gomë./oranews