Serbët e veriut ndryshojnë datën e protestës kundër Vuçiqit dhe Listës Serbe

Një protestë e paralajmëruar për 9 janar në qendër të Mitrovicës, është zhvendosur për një ditë më parë, gjegjësisht më 8 janar, kanë konfirmuar organizatorët. Ata vendosën që ta ndryshojnë datën pas, siç thonë, kërkesave të shumta të bashkëqytetarëve dhe për shkak të detyrimeve që do të kenë në vendet e tyre të punës më 9 janar. Protesta u thirr pas vendimit për hejqen e barrikadave në pjesën veriore të Kosovës, që bllokuan rrugët për afro 20 ditë. Organizatorët thonë se nuk janë përmbushur shumica e kushteve të vendosura nga Lista Serbe.
“Ju njoftojmë se protesta do të mbahet të dielën më 8 janar në ora 12:01 te monumenti i Princit Llazar në Mitrovicë”, thanë organizatorët.
Mbajtjen e protestës në fillim të kësaj jave e kishte paralajmëruar komisioneri i të ashtuquajturës Lëvizje për Mbrojtjen e Kosovës, Nebojsha Joviq.
Joviq u bëri thirrje qytetarëve që të mblidhen për të ngritur zërin kundër “tradhtisë së lartë” të Aleksandër Vuçiqit dhe “torturave, mburrjeve, pasurimit të pakontrolluar, kërcënimeve, shantazheve” të Listës Serbe dhe “tradhtisë më brutale” që nga viti i kaluar – “vendosjen” e bazës policore të Kosovës.
“Qytetarët e Mitrovicës serbe do të dalin që publikisht dhe qartë t’i dërgojnë një mesazh publikut serb, para së gjithash, se Aleksandar Vuçiq me politikën e tij destruktive proshqiptare dhe proserbe në Kosovë, si dhe me listën Srpska, e cila ishte partner afatgjatë i Thaçit dhe Haradinajt, nuk mund të përfaqësojë më serbët që jetojnë në Kosovë dhe Metohi”, tha ai.
Ai gjithashtu bëri të ditur se do të kërkojnë nga autoritetet në Beograd që të caktojnë një “negociator shtetëror” – një përfaqësues të serbëve në Kosovë, i cili mbi të gjitha do të respektojë interesat si të Serbisë ashtu edhe të serbëve në Kosovë.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se do të kërkojë tërheqjen e të gjitha forcave policore nga veriu që janë dislokuar ndërkohë, dhe konkretisht nga KFOR-i – që të mos dalë jashtë mandatit të tij.
Me mesazhin se “populli është ngopur”, ai vlerësoi gjithashtu se qytetarët guxuan të dalin publikisht dhe të tregojnë hallet e tyre./21Media

Back to top button