I riu nxjerr thikën për një ulëse në autobus, dy adoleshentë përfunduan në spital

Po ktheheshin prej shkolle, por u detyruan të zbresin të gjithë prej autobusi. Shkak për këtë u bë zënka që patën dy adoleshentë për një ulëse në autobus, e si pasojë përfunduan në spital më lëndime në duar. Sipas informacioneve të policisë bëhet fjalë për nxënës nga fshati Moranë dhe Studeniçan.
“Incidenti ka ndodhur mbrëmë pas një debati paraprak verbal që kanë pasur 2 të mitur për një vend në autobus. I mituri nga fshati Moranë e ka nxjerr thikën dhe ka sulmuar një person tjetër dhe pas dështimit të sulmit, gjatë përleshjes fizike ka lënduar veten dhe një shok tjetër”, raporton gazetarja Valmira Zendeli.
Ngjarja ka në një autobusin të Ndërmarrjes për Qarkullim Publik, i cili në momentin kur ka ndodhur incidenti ka qenë duke lëvizur në Kisella Vodë.
“Në orën 19:33 në SPB Shkup u denoncua se një nëpunës i policisë ka ndalur dy persona te vendi “Stara Rampa”, pasi e kanë prishur rendin dhe qetësinë publike në autobusin numër 51 me përleshje fizike, ku është përdorur edhe një send i mprehtë”, thonë nga MPB.
Për rastin në fjalë është informuar edhe Prokuroria dhe pas dokumentimit të rastit, kundër autorëve do të ngrihet padi adekuate. Ngjarje e ngjashme javën e kaluar ka ndodhur edhe në autobusin me numër 65 të NQP. Kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, bashkë me punonjës të policisë për të parandaluar dhunën dhe incidente të tilla në transportin publik, paralajmëroi se do të ketë patrullim të policisë nëpër autobusë deri sa të tejkalohen problemet e tilla./TV21

Back to top button