“Inflacioni i ulët, çmimet e larta”

Rritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve të konsumit vazhdojnë të jenë shqetësim kryesor për qytetarët.

Agjencia e Statistikave flet për rënie të shkallës së inflacionit por çmimet kanë mbetur të larta. Kjo Agjenci flet edhe për një rritje tjetër të çmimit të energjisë elektrike. Ndërkohë, njohës të çështjeve të ekonomisë vlerësojnë se institucionet nuk duhet të mbesin peng i një ligj i cili është rrëzuar nga kushtetuesja por duhet të gjejnë forma dhe mënyra që familjet në Kosovë të kenë një jetë më të dinjitetshme.

Pagat e ulëta, çmimet e larta vazhdojnë të mbesin shqetësim kryesor i qytetarëve në vend. Përveç çmimeve të larta të produkteve ushqimore qytetarët muajve të fundit janë duke u ballafaquar edhe me fatura të larta për energji dhe ngrohje, gjë e bënë edhe më të pa përballueshme jetën e tyre.

“Çmimet janë të pa përballueshme, me një rrogë jemi katër anëtar 400 euro kah me ja mbajte”, tha një qytetar.

“Nuk është normale dikush duhet me i kontrollu”, u shpreh për rtv21 një qytetar.

“Jeta po shkon duke u bërë çdo ditë e më keq”, tha tutje një qytetar.

Agjencia e Statistikave në matjet e tyre të fundit për muajin dhjetor 2024 flet për një rritje të vogël të inflacionit në krahasim me muajin nëntor. Rritje në të cilën kryesisht ka kontribuar edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0.7% në muajin dhjetor 2024 krahasuar me muajin nëntor 2024. Kjo kryesisht arsyetohet me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë tek ngritja e çmimit të energjisë elektrike prej 6.2%, perimet 2.5%, kafja, çaji 2.2%, qumështi, djathi, vezët 1.3% me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.8%”, ka bërë të ditur ASK-ja.

Edhe pse, ASK-ja flet për një rënie të përgjithshme të inflacionit krahasuar me dy vitet e kaluara, megjithatë çmimet mbetën të larta. Në anën tjetër një nismë nga partia në pushtet për të kontrolluar çmimet u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa përveç ankesave dhe akuzave politike nuk pati ndonjë tentativë tjetër për të përmirësuar situatën.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Lulzim Beqiri, thotë se institucionet nuk guxojnë të mbesin peng i një ligji i cili është rrëzuar nga Kushtetuesja.

“Ligji për çmimet tavan është rrëzuar nga kushtetuesja por duhet të gjenden ligje të tjera që nuk bien ndesh me kushtetuesen”, ta Beqiri për rtv21.

Megjithatë me çmime të larta po ballafaqohen edhe vende të tjera të rajonit dhe Evropës, Ndërkohë qytetarët atje në shenjë revolte kanë vendosur që të bojkotojnë dyqanet ushqimore përfshirë Maqedonia e Veriut./RTV21/21Media

Back to top button