Isa Mustafa: Tarifa të hiqet ashtu siç po kërkojnë SHBA-të

Mustafa ka thënë se heqja e tarifës është në interes të Kosovë

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka shprehur qëndrimet e tij lidhur me heqjen e tarifës 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.

Ai ka thënë që shpreson se nesër Kuvendi do t’i japë përkrahje qeverisë për heqjen e tarifës.

“Të hiqet ashtu siç po kërkojnë SHBA-të. Nuk jam i sigurt që dikush nga grupet parlamentare ose deputetët e Kuvendit apo qeveritarët ta kenë gjetur një partner më të fortë, më meritor dhe më të përkushtuar sesa SHBA-të për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. E as një rrugë më me perspektivë se ajo e integrimit evropian dhe euroatlantik.”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Kujtojmë se SHBA kërkon heqjen e plotë të tarifës. I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell pas paralajmërimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se do ta heqë pjesërisht taksën që nga 15 mars, pat deklaruar se Kurti po bën gabim serioz dhe se tarifa duhet të hiqet plotësisht.

Tutje, Mustafa ka thënë se heqja e tarifës është në interes të Kosovës.

“Në qoftë se Serbia, nuk e ndal fushatën kundër Kosovës dhe nuk mënjanon pengesat tregtare dhe ekonomike, LDK mbetet e përkushtuar për aplikimin e masave të reciprocitetit pas një periudhe që Qeveria e akordon me SHBA-të dhe BE-në.”, ka shkruar Mustafa./21Media

Back to top button