Kadiu: Luftimi i korrupsionit solli në agjendë liberalizimin e vizave

Qeveria në Prishtinë i tha RTV21 se përmes vizitave bilaterale janë të angazhuar që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejtë.
Këshilltari i zv/kryeministrit, Besnik Bislimi, Klisman Kadiu vlerëson se puna direkte me Francën, përmes marrëveshjeve bilaterale dhe shkëmbimeve në fushën policore e të migrimit ka sjell rezultatin që Franca ka deklaruar në Samitin e Qershorit se nuk është më bllokuese e procesit.
Përpos Francës, Kadiu tha se Qeveria ka punuar ngushtë edhe me disa vende të tjera anëtare për të bërë maksimumin në shuarjen e çdo skepticizmi të mundshëm.
“Vizita e zëvendëskryeministrit Bislimi në Pragë në fillim të shtatorit dhe raporti i detajuar teknik për Komisionin Evropian me theks në arritjet në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, riatdhesimin, menaxhimin e azilkërkuesve e migracionit, kanë bërë që kjo çështje të futet në agjendën e Këshillit, në formatin e Grupit Punues të Vizave.  Deri më tani, kemi marrë sinjale pozitive dhe jemi optimistë për dhënien e mesazheve po ashtu pozitive nga ana e BE-së. Duhet theksuar se takimi i datës 13, nuk është ai final por është një nga hapat e rëndësishëm të procesit teknik për të mbërritur deri në vendimin final”, tha Kadiu./21Media

Back to top button