Kanë rini dhe punë, por janë lënë pas dore! Shqiptarët e Krushevës kërkojnë investime dhe infrastrukturë

Nerova, njëri prej 6 fshatrave shqiptarë të Krushevës. I harruar dhe lënë pas dore nga çdo pushtet.
Fshati ka rreth 130 shtëpi me mbi 900 banorë, që të gjithë shqiptarë, që kryesisht merren me kultivimin e duhanit. Ndonëse, kanë dekada që merren me këtë punë, thanë se hasin në vështirësi ujitjen, sepse nuk kanë sistem për ujitjen e tokave.
Ata mendojnë se janë të lënë pas dorë pikërisht për shkak të përkatësisë etnike të cilës i përkasin.

“Ka zënë një thatësi e madhe, ujësjellës nuk ka për akumulim, duhet shteti të na sjellë akumulim që të ujiten fusha nuk ka kushte, tash na ka kapluar një thatësi e madhe. Gazetarja: A mendoni se jeni të lënë pas dore meqë jeni fshatra shqiptare nga Komuna e Krushevës? “-Po jemi të lënë pas dore shumë.”
Sa i takon infrastrukturës së fshatit, ata thanë se një rrugë u a ka shtruar kryetari aktual, por rrugët  e tjera nuk janë në gjendje të mirë. Fshati nuk ka as kanalizim, kanalet janë të pa pastruara, e një pjesë e fshatit nuk është e kyçur as në rrjetin e ujësjellësit. Nerovasit thanë se politikanët atje shkelin vetëm gjatë zgjedhjeve kur kanë nevojë për vota, e më pas i harrojnë.
“Fshatra shqiptarë jemi ja prej në jug do nis Presilla, Alldancja, Nerova, Bellushina, Jakrenova, Segjdova, këta janë fshatra të komunës së Krushevës dhe me kushte jemi të njëjta të gjithë, të gjithë të lënë”.
Si për çudi, edhe krahas jetesës jo aq të lehtë, shpërngulja masive këtu nuk është fenomen shqetësues. Shkolla ka 140 nxënës.
“Të hapet një fabrikë, sepse ka një mundësi të tillë këtu, të bëhen punësime aty që të mos u lejohet të rinjve të ikin, të përmirësohet situata, të përmirësohet standardi, kushtet e jetesës ajo është më shumë rëndësi, sepse një fshat që nuk ka infrastrukturën nuk ka punësim normal që nuk ka as ardhmëri për atë fshat. Ne jemi të kënaqur që rininë e kemi këtu dhe duhet të vazhdojmë ta mbajmë”.
Për dallim prej vendbanimeve të tjera, në këto fshatra toka punohet gjithmonë. Banorët kërkojnë që t’u krijohen kushte infrastrukturore dhe elementare për kultivimin e duhanit me qëllim që të vazhdojnë të punojnë dhe të mbajnë rininë në vend, raporton TV21./21Media

Back to top button